Taksa, SHBA-të fillojnë sanksionet për Kosovën, sa dëmtohet ekonomikisht vendi?

Tash e më tepër se dy muaj Qeveria e Kosovës aplikon taksën 100 për qind për produktet që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Lajme

30/01/2019 21:39

Ky vendim i Qeverisë së Kosovës që erdhi në nëntor të vitit të kaluar, asnjëherë nuk u prit mirë nga Bashkimi Europian.

BE vazhdimisht nëpërmjet Përfaqësueses së Lartë për Punë të Jashtme, Frederica Mogherini kërkuan heqjen e taksës, por vendimi për heqje nuk erdhi.

Heqja e taksës nuk ndodhi as kur shtete të fuqishme si Gjermania, Franca, Italia e Britania e Madhe kërkuan nga Kosova që kjo të ndodh, shkruan lajmi.net.

Madje, Qeveria e Kosovës nuk përfilli as thirrjet e njëpasnjëshme të aleatit më të madh dhe më të fuqishëm të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

SHBA-të, vendosën që pas thirrjeve të dërgojnë ultimatum për Kosovën, por as ajo nuk funksionoi, taksa përsëri mbeti.

E së fundmi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet ambasadorit të tyre në Kosovë, Philipp Kosnett, kanë paralajmëruar institucionet e vendit se nëse kjo taksë nuk hiqet mund të ketë pasoja të mëdha për marrëdhëniet Kosovë – SHBA.

SHBA-të kanë filluar të aplikojnë edhe sanksionet ndaj Kosovës si një mundësi “bindëse”, por sa e dëmton kjo ekonominë e vendit?

Në lidhje me këtë, lajmi.net ka kontaktuar ekspertin e ekonomisë, Safet Gërxhaliu.

Ai për lajmi.net është shprehur se duhet të bëhet një analizë e thellë e situatës që Kosova ka hyrë këtë vit.

“Në qoftë se bëhet një analizë më e thellë, Kosova, në këtë vit ka hy në një situatë mjaftë të komplikuar, një situatë e cila duhet të analizohet nga dimensioni politik, nga dimensioni strategjik, nga dimensioni social, ekonomik dhe integrues. Pra këto 5 sfida janë që do të jenë mjaftë të vështira të zgjidhen me këto kapacitete dhe me këtë qasje të qeverisë”, është shprehur Gërxhaliu.

Ai është shprehur i brengosur dhe i ka quajtur veprime të paplanifikuara dhe për qëllime politike vendimet e institucioneve të vendit.

“Ajo që na brengos më tepër janë veprimet e paplanifikuara dhe vendimet që më tepër gjenerojnë populizëm dhe kalkulime për vota sesa që janë institucione të forcimit të shtetit”, ka shtuar Gërxhaliu për lajmi.net.

Por, sipas Gërxhaliut, shqetësimi më i madh është ajo çfarë po ndodh në raportet mes SHBA-ve dhe Kosovës, duke theksuar se kjo mund të sjellë pasoja enorme negative në të ardhmen.

“Shqetësimi më i madh është ajo çfarë është duke ndodhur në raportet mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës. Nëse sot nuk përfillet fjala e miqve ndërkombëtarë, në veçanti e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, produkt i të cilëve është edhe Republika e Kosovës, është me të vërtetë shqetësim i madh që në të ardhmën do të gjenerojë efekte enorme negative”, ka thënë Gërxhaliu.

Ai gjithashtu ka përmendur 3 pasoja të cilat mund ta bllokojnë tërësisht Kosovën.

“Në rend të parë, do të përjetojmë izolim, në rend të dytë nuk do të ketë lobim, në rend të tretë nuk do të ketë investime dhe mbi të gjitha do të ketë një bllokim në aspektin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës”, ka shtuar më tutje Gërxhaliu për lajmi.net.

Ai ka porositur politikanët që tani është koha të jenë më racional dhe të mendojnë më tepër për zhvillimin e shtetit.

“Besoj që është koha kur truri i politikanëve të futet në funksion të zhvillimit të shtetit, të zgjidhjes së problemeve, sepse nuk jetohet nga tentativa për të shpikur probleme, pastaj për të mbuluar probleme. Prandaj, është koha kur duhet të jemi shumë më racional, është koha kur duhet të mendojmë shumë më tepër për shtet sesa për parti politike, është koha kur duhet të mendojmë më tepër për ardhmërinë e qytetarëve të shtetit sesa për pozitën politike dhe karrigen, të cilat me keqardhje po e them, janë pozita që janë degraduar”, ka përfunduar Gërxhaliu.

Vlen të theksohet që së fundmi Kosova ka pasur një takim edhe me një delegacion të Bosnje e Hercegovinës në Sarajevë ku është diskutuar për taksën 100 për qind.

Delegacioni i Kosovës ka refuzuar të hiqet taksa përderisa Bosnja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. /Lajmi.net/