Takohet Këshilli Organizativ për Ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit

Këshilli organizativ për Ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini, i cili është emëruar nga Qeveria e Kosovës,  sot ka mbajtur takimin e parë me përbërje të plotë, dhe në ditët në vazhdim do të bëjë publike agjendën.

Lajme

10/11/2014 17:35

Në këtë takim, anëtarët e këtij këshilli kanë dhënë propozimet e tyre lidhur me rivarrimin e heroit kombëtarë Isa Boletini.

“Pjesë e Këshillit Organizativ janë: Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, z. Agim Ceku, Kryesues, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit z. Memli Krasniqi, Zv. Kryesues, përfaqësuesi i Zyrës së Kryeministrit Edi Sejdiu, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme- Policisë së Kosovës, Naim Rexha, përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Jashtme Burim Susuri, Kryetari i Komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri, Drejtori i Institutit të Historisë Sabit Syla, përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës Jusuf Bajraktari, përfaqësuesi i familjes së Isë Boletinit, Gazmend Boletini”, njoftohet përmes një komunikate për medie të Këshillit.

Këshilli Organizativ në këtë takim ka marrë propozimet e anëtarëve të tij dhe ka diskutuar për të gjitha çështjet me rëndësi për organizimin e dinjitetshëm dhe madhështor të ceremonisë së rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini.

Ceremonia do të realizohet më 28 Nëntor në vendlindjen e tij në Boletin, nën patronatin e Kryeministrit në detyrë të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, transmeton KosovaPress.