Takohen Thaçi e Jahjaga
Kryeministri Thaçi e ka njoftuar sot Presidenten Jahjaga për procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Në takim është diskutuar edhe për reformën zgjedhore.
Lajme
Kryeministri Hashim Thaçi ka qëndruar sot në Presidencë, ku e ka njoftuar Presidenten Atifete Jahjaga për procesin e dialogut që po zhvillohet në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për zgjidhjen e çështjeve praktike dhe për normalizimin e marrëdhënieve.
Kryeministri Thaçi, gjithashtu, e ka informuar Presidenten për procesin e reformës zgjedhore që po e ndërmarrin partitë dhe subjektet politike.
Presidentja dhe Kryeministri biseduan edhe për politikën ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, si dhe për fuqizimin e diplomacisë kosovare, thuhet në një njoftim të Zyrës për Informim të Presidentes.
“Në këtë takim Jahjaga ka shprehur mbështetjen për procesin e dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë që po zhvillohet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe rezultatet konkrete në relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve të pavarura e sovrane, në rend dhe në sundim të ligjit dhe në integrimin e të gjithë qytetarëve në institucionet dhe shoqërinë e Kosovës”.
Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri i Kosovës Thaçi gjatë këtij takimi kanë biseduar edhe për dinamizimin e politikës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës drejt njohjeve të reja dhe anëtarësimit të vendit në organizatat ndërkombëtare, me theks të veçantë në plotësimin e të gjitha standardeve të nevojshme në rrugën e integrimeve evropiane.