Takimi Merkel – Plenkovic zbulon afatet për nisjen e bisedimeve Kosovë -Serbi

Ndryshe nga Franca e presidentit Macron, Gjermania e kancelares Merkel dëshiron hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkim Evropian të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Lidhur me një temë të tillë, kryeministrja gjermane ka folur të enjten në takimin që ka pasur me homologun kroat, Andrej Plenkovic, pasi tashmë Kroacia do të udhëheq me presidencën e BE’së deri në qershor.

Lajme

17/01/2020 17:56

Merkel nuk ka harruar ta përmend edhe Republikën e Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinën, teksa ka folur për procesin e zgjerimit.

“Unë besoj që Shqipëria i ka përmbushur shumicën e kritereve që kemi kërkuar si vend, veçanërisht sa i përket procesit të vettingut dhe rikonstruktimit të gjykatave, dhe tashmë është koha për hapjen e negociatave. Parlamenti ynë gjithashtu ka shprehur një numër shtesë të kushteve. Në Maqedoninë e Veriut ishte bërë një kapërcim i madh kur u zgjidh çështja e emrit. Unë besoj që Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë në të njëjtin grup. Kemi edhe Serbinë e Malin e Zi, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe sigurisht që pastaj kemi Bosnje e Hercegovinën dhe Kosovën, që është një situatë ndryshe”, ka thënë kancelarja Merkel në konferencën për media pas takimit me Plenkovic.

Tutje kancelarja gjermane ka thënë se në takimin e Këshillit në dhjetor nuk kanë mundur të arrijnë një marrëveshje me Macron, ndërkohë ka shtuar se do të shoh nëse diçka mund të bëhet në takimin e Këshillit në mars.

Kryeministri kroat, Andrej Plenkovic, ka folur edhe sa i përket procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe gjithashtu kërkesës së Përfaqësuesit të Lartë të BE’së, Josep Borell, që negociatat të rinisin përpara Samitit të Zagrebit.

Ai ka thënë se ende nuk kanë hyrë ne detaje sa i përket çështjes së negociatave, por ka thënë se në Samitin e Zagrebit që do të mbahet më 5-6 maj do të diskutohen të gjitha çështjet që kanë karakter politik dhe që janë të hapura dhe ka potencuar se pret që nga ai Samit për Ballkanin Perëndimor të bëhet progres.

“Nuk kemi hyrë ne detaje sa i përket raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kemi folur për të gjitha shtetet dhe gjithashtu kemi synim për të pasur përparim në Zagreb. Një aspekt shumë i rëndësishëm që Kroacia e vendos mbi të gjitha, është që samiti ka karakter politik dhe ne dëshirojmë t’i hapim të gjitha çështjet  që janë në tavolinë dhe në debat të hapur”, ka thënë Plenkovic.

Vështirësi në rinisjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka shkaktuar situata politike në Kosovë, ku Prishtina zyrtare vazhdon të jetë pa institucione të reja që nga korriku i vitit 2019 kur Ramush Haradinaj ka thënë dorëheqje nga posti i kryeministrit. Ndërkohë ka më shumë se 3 muaj që nga mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe partitë politike nuk po arrijnë të gjejnë konsensus për arritjen ë një koalicioni për bashkëqeverisje.