Takimi i dy qeverive ‘e tërbon’ ministrin serb, thotë se po krijohet Shqipëria e Madhe
Kryeministri shqiptar Edi Rama sot në mbledhjen e dy qeverive ka deklaruar se porti i Durrësit do të jetë de facto i Kosovës.
Lajme
Për këtë deklaratë ka reaguar ministri i Mbrojtjes së Serbisë Aleksandar Vulin, i cili tha se kjo është përpjekje për të krijuar Shqipërinë e Madhe.
Në një deklaratë me shkrim, Vulin shprehet se Bashkimi Europian, “si çdoherë deri më tani, do të qëndrojë i heshtur ndaj kësaj deklarate dhe nuk do të ndërmarrë asnjë veprim”.
“Shqiptarët mund të bashkohen dhe mund të marrin territoret e njerëzve të tjerë dhe serbët nuk mund të bashkohen as në tokën e tyre, kështu që përsëritet gënjeshtra se Shqipëria e Madhe është një Shqipëri e natyrshme dhe serbët e bashkuar në një shtet janë një kërcënim për paqen”, tha ai.
Ai thotë se “Shqipëria e Madhe” është një lajm i “një katastrofe të madhe, prishjes dhe shkatërrimit të shteteve dhe kombeve në Ballkan”.
“Vetëm serbët e bashkuar mund të ndalojnë “Shqipërinë e Madhe” dhe sa më shpejt të bashkohemi institucionalisht, aq më shpejt do të fillojë koha e paqes në Ballkan”.
Ndërkaq, Rama tha se marrëveshja “që së shpejti do të firmosim për të lehtësuar procedurat doganore mes dy shteteve na çon në destinacion, shndërrimin e portit të Durrësit në një port de facto të Kosovës”.