Takime për sigurime kufitare

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, në takim me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë, diskuton lidhur me sigurimet kufitare të automjeteve, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Kërkohet marrëveshje që mbështetet në parimet e reciprocitetit.

Lajme

26/01/2014 16:30

Është shënuar një hap përpara drejtë gjetjes së një modaliteti për sigurimet kufitare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Në një komunikatë të Qeverisë së Kosovës, bëhet e ditur se Delegacioni i Kosovës i udhëhequr nga Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri mori pjesë në takimin e radhës për sigurimet kufitare të automjeteve,  të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian, që u mbajt prej 25-26 janar 2014, në Romë.

Gjatë dy ditëve të takimeve, siç njoftohet, bisedimet u përqendruan për të gjetur një zgjidhje më të mirë për çështjen e sigurimeve kufitare të cilat do të ofronin çmime më të favorshme dhe lehtësim të lëvizjes së lirë për qytetarët e të dyja shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

“Delegacioni i BE’së, i kryesuar nga  Alexis Hupin, u angazhua që palët të përafrojnë qëndrimet gjithnjë duke marrë parasysh interesat e qytetarëve dhe standardet europiane për këtë çështje.”

“Përpjekjet për një marrëveshje më afatgjate për çështjet e sigurimeve kufitare të automjeteve kanë hapur mundësitë që të gjenden modele të bashkëpunimit në këtë fushë sipas parimeve të Byrosë Europiane të Sigurimeve ku të dyja palët kanë shprehur ide dhe propozime për ta avancuar këtë proces”.

“Pala e Kosovës ka kërkuar që një marrëveshje mundshme duhet të mbështetet në parimet e reciprocitetit si dhe të garantohet nga Bashkimi Europian, respektivisht nga Byroja Europiane e sigurimeve”.

“Në këto takime janë diskutuar të gjitha aspektet e rëndësishme të këtij procesi, janë këmbyer pikëpamje në lidhje me modelet më të mira evropiane për bashkëpunimin mes shteteve në fushën e sigurimeve kufitare të automjeteve përkatësisht të bashkëpunimit mes organizatave të industrisë së sigurimeve të shteteve përkatëse.”

“Bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë më tutje në takimet që do të mbahen së shpejti, me synim që të arrihet një marrëveshje që do ta ketë për bazë interesin e qytetarëve.”

“Pala e Kosovës ka vlerësuar se pjesëmarrja e Byrosë evropiane të sigurimeve në këtë marrëveshje si palë garantuese do të rris perspektivat e bashkëpunimit më të madh në mes të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës dhe të Byrosë Europiane të sigurimeve.”, thuhet në komunikatën e Qeverisë së Kosovës.