Tahiri: Serbia vijon të shkelë pariemt e fqinjësisë së mirë

Zëvendëskryeministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri ka takuar të hënën grupin e gazetarëve austriakë, të cilët janë duke e vizituar Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi. 

Lajme

25/08/2014 17:18

Tahiri iu tha gazetarëve se Serbia vazhdon të shkelë parimet e fqinjësisë së mirë duke ndërhyrë ilegalisht në Kosovë, siç ishte rasti i fundit me barrikadat në urën e Mitrovicës apo prezenca e strukturave paralele komunale, që janë duke penguar punën e kryetarëve legalë në katër komunat veriore.

Sipas kumtesës nga Qeevria, Tahiri ka vlerësuar se dialogu i Brukselit është në shërbim të paqes dhe stabilitetit në rajon. Rezultatet e dialogut kanë kontribuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe afrimin e të dy shteteve me BE-në, dhe ky proces ka ndikuar drejtpërdrejt në normalizimin e rendit, sigurisë dhe demokracisë në komunat veriore dhe shtrirjen e sovranitetit në gjithë territorin e vendit.

“Në këtë proces ka ende sfida të mbetura e për të cilat kërkohet angazhim më i shtuar nga vetë Brukseli, si lehtësues i këtij procesi”, thaTahiri.

Zëvendëskryeministrja i është përgjigjur edhe shumë pyetjeve të këtij grupit të gazetarëve që kishin të bënin me mandatin e EULEX-it, marrëdhëniet në mes të shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, për dialogun, zhvillimin ekonomik, pjesën veriore dhe për perspektiven evropiane të Kosovës.

“Perspektiva euroatlantike e Republikës së Kosovës tashmë është shumë më e qartë pasi që kemi vendosur marrëdhënie të drejtpërdrejta me BE-në përmes Marrëveshjes për Stabilizim dhe Associm, si dhe kemi ardhur në përfundim edhe të transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, konform standardeve të kërkuara nga shtetet anëtare dhe vetë NATO-ja”, tha Tahiri.

Ajo po ashtu foli edhe për izolimin e pa drejtë që po iu bëhet qytetarëve të Kosovës duke mos e gëzuar të drejtën e lirisë së lëvizjes në zonën Schengen, për të shtuar se pret që kjo çështje sa më parë të gjejë zgjidhjen e merituar dhe të gjithë njerëzit e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në hapësirën evropiane pasi që qytetarët e saj e konsiderojnë vetën si pjesë të pandashme të familjeve euro perëndimore.