Tahiri: Prokurorët sot e kanë bazën më të fortë ligjore për luftimin e krimit dhe korrupsionit

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka marrë pjesë në “Konferencën Vjetore të Prokurorëve”, me  ç ’rast ka thënë se prokurorët janë garanci e shtetit të ligjshëm, garanci e barazisë para ligjit dhe besimi i qytetarëve në drejtësi, varet nga puna e tyre.

Lajme

17/01/2020 15:51

Gjatë kësaj konference, ministri Tahiri tha se sistemi prokurorial në dy vitet e fundit ka pasur progres të matshëm dhe sipas tij, të arriturat në këtë fushë, kanë lënë gjurmë në sistemin prokurorial, tek qytetarët dhe raportet vendore e ndërkombëtare.

“ Para dy vitesh, në fillim të mandatit tim si Ministër i Drejtësisë, ju kam folur për planet e synimet. Gjatë dy viteve që lamë pas, kemi parë në masë të madhe, realizimin e këtyre synimeve, e përbashkëta e të cilave ka qenë fuqizimi i sundimit të ligjit dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar”, ka thënë Tahiri.

Duke folur për ndryshimet e arritura në sistemin prokurorial, ministri Tahiri përmendi disa nga to, duke thënë se tashmë prokurorët kanë kompetenca të qarta dhe të matshme.

“Mekanizmat llogaridhënës për prokurorë që s’jepnin rezultat, duke ulur besimin e qytetarëve në paanshmëri, sot janë zëvendësuar me përgjegjësinë disiplinore. Kishte paqartësi kompetencash, e sot me Ligjin e ri për Prokurorin e Shtetit, kompetencat janë bërë mjaft të qarta e të matshme”, deklaroi Tahiri.

Sipas ministrit Tahiri, numri i prokurorëve sot, nuk është më pengesë për zbatimin efikas të ligjit.

“ Buxheti që qeveria ka ndarë për dy vite për sistemin prokurorial, e ka mundësuar shtimin e këtij numri, kurdo që shtrohet si nevojë. Kishte diferencim e mungesë të stimulimit, ndërsa sot, prokurorët e  Republikës së Kosovës, marrin pagat më të dinjitetshme në rajon e më gjerë”, është shprehur Tahiri.

Të gjitha këto të arritura sipas ministrit Tahiri janë rezultat i dialogut të mirëfilltë institucional ndërsa ka shtuar se të arritura ka pasur edhe në fushën legjislative.

“ Përmes ndryshimeve që i kemi bërë në Kodin Penal, ju si prokurorë, tashmë keni mundësi të plotë për të parandaluar e luftuar krimin e korrupsionin e po ashtu përmes tij, të mbroni lirinë individuale nga cenimi i pa bazë”, tha Tahiri.

Gjatë kësaj konference, ministrit Tahiri përmendi edhe Ligjin e ri për Konfiskimin e Pasurisë duke potencuar se tashmë sistemi i drejtësisë ka në dispozicion bazën e mjaftueshme, për të konfiskuar çdo pasuri të fituar nga aktiviteti kriminal.

“Ju pret një punë e madhe për zbatimin e tij, por gjithsesi se përmes tij, sot keni në dispozicion bazën e mjaftueshme, për të konfiskuar çdo pasuri të fituar nga aktiviteti kriminal”, deklaroi Tahiri. /Lajmi.net/