Tahiri: Për herë të parë, LDK-së i ka humbur rruga në oborr

Ministri i Drejtësisë, njëherësh edhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, ka kritikuar LDK-në për shkak të mospjesëmarrjes në procesin e dialogut.

Lajme

12/03/2019 23:40

Abelard Tahiri, ka thënë se është i befasuar me LDK-në, pse kjo e fundit ka vendosur të abstenojë në proceset e rëndësishme që po kalon Kosova.

“Pas Rambujesë, pas Vjenës, pas Brukselit edhe pse nuk ka pasur përfaqësues, LDK ka votuar dhe ka qenë gjithmonë konstruktive. Më çudit fakti pse LDK tash ka vendosur të abstenojë nga një proces i tillë”, ka thënë Tahiri në RTV Dukagjini.

“Mendojë se është hera e parë që LDK-së i ka humbur rruga në oborr… Ju si opozitë, pse po qëndroni indiferentë”, i tha Tahiri deputetes Gaxherri.

Deputetja e LDK-së Besa Gaxherri në përgjigje të Abelard Tahirit ka thënë se në LDK nuk kanë besuar se presidenti Thaçi do të ishte i gatshëm që të bënte kompromise kaq të dhimbshme deri në shkëmbime territoresh.