Tahiri pas vendimit të Apelit për rritjen e çmimit të rrymës: Ndalëm haraçin e ZRRE-së, Kryeministrisë dhe Presidencës ndaj qytetarëve

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri në deklarimin e tij pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Koosvës është deklaruar se Zyra e Rregullatorit të Energjisë duhet të pezullojë tarifimin me tarifa të shtrenjta për qytetarët e Kosovës.

Lajme

23/05/2022 13:13

Ai ka thënë se me iniciativë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës është pezulluar siç e quan ai “haraçi i padrejtë”, i vendosur për qytetarët e Kosovës nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, siç shprehet Tahiri së bashku me zyrën e Kryeministrit dhe Presidencës, shkruan lajmi.net.

“Ju e dini që Grupi Parlamentar i PDK-së ka pasur një angazhim jashtëzakonisht të madh deri te momenti ku do të pezullohet tarifimi me tarifa të shtrenjta të energjisë elektrike në Kosovë. Këtë e kemi arritur në javën e kaluar, Gjykata e Apelit ka marrë një vendim që është në favorin e grupit tonë parlamentar. Këto tarifa të shtrenjta janë pezulluar, haraçi i padrejtë që kishte vendosur ZRRE-ja me zyrën e Kryeministrit dhe Presidencës kemi arritur ta pezullojmë më mjete ligjore.”, tha Tahiri.

Ai tha se fakti që KESCO ka paqartësi në aplikimin e tarifave pas vendimit të Apelit nënkupton se ZRRE-ja po tentn të konfuzion.

“Ajo që është shqetësuese është se KESCO ka paqartësi nga ZRRE-ja për tarifimin e energjisë elektrike pas vendimit të Gjykatës së Apelit në vendin tonë. Mendoj që këtu ZRRE-ja duhet ta ndalë çfarëdo tendence që duhet që ka qëllim të mos respektohet ky vendim. Ata kanë deklaruar vet se do ta respektojnë vendimin e Gjykatës së Apelit por duket se nuk ka dhënë qartësi te KESCO për tarifimin e rrymës për qytetarëve të Kosovës.”, tha Tahiri.

Më tutje, Tahiri është shprehur se Kosova ka prodhuar mjaftueshëm energji edhe gjatë kohës kur konsumi ishte i lartë.

“Vendimi i Gjykatës së Apelit është shumë i qartë, e ka pezulluar tarifimin e shtrenjtë të energjisë elektrike në vendin tonë, kjo duhet të respektohet, prandaj ZRRE-ja duhet ta bëjë të qartë në vendimin e saj, që tarifimi të bëhet me tarifa të ulta siç ka qenë para ngritjes së çmimit të energjisë elektrike, ne e kemi dokumentuar edhe si grup parlamentar i PDK-së tash e disa muaj, vendi ynë ka prodhuar energji të mjaftueshme edhe për konsumin kur kemi pasur konsum të lartë të energjisë. Pra importi në vendin tonë ka qenë shumë i vogël, ne i kemi mbuluar kërkesat tona me prodhimin tonë, kjo rritje është e paarsyehshme sepse importi është shumë i vogël, ne kemi eksportuar 10 fishin e asaj që kemi importuar.”, tha ai.

Tahiri krejt në fund tha se ZRRE-ja duhet të respektojë vendimin e Apelit.

“I bëj thirrje edhe njëherë ZRRE-së të mos krijojë kurrëfarë paqartësie, kurrëfarë konfuzioni, të respektohet vendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës që të bëhet tarifimi me tarifa të ulëta.”, tha Tahiri. /Lajmi.net/