Tahiri para garës së fundit në Olimpiadë

Një ditë para 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ai garoi në super sllallom të madh, ku u rendit i 47-ti nga 62 garues.

Sport

20/02/2018 11:16

Albin Tahiri do ta zhvillojë në mesjavë garën e pestë dhe të fundit në Lojërat Olimpike Dimërore 2018 në Korenë Jugore.

Tahiri, sportisti i vetëm kosovar dhe i pari ndonjëherë në Lojëra Olimpike Dimërore, të enjten do të garojë në disiplinën e sllallomit, raporton Express.

Gara do të zhvillohet në qendrën skitare YongPyong, rreth 15 kilometra larg PyeongChangut të Koresë së Jugut. Garat do të nisë në ora 02:00 me kohën tonë lokale.

Si një sportist debutues dhe i pari në histori të Kosovës në Lojëra, Tahiri ka qenë relativisht i suksesshëm duke arritur t’i përfundojë të gjitha katër garat, përkundër kushteve të vështira për garim sidomos në kombinim alpin.

Në garën e parë në Lojëra në disiplinën kombinim alpin, Tahiri zuri vendin e 37-të nga 65 garues në total. Dy ditë më vonë, në garën e lëshimit, ai doli i 50-ti nga 57 garues në total.

Një ditë para 10-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ai garoi në super sllallom të madh, ku u rendit i 47-ti nga 62 garues.

Ndërsa, në garën e parafundit në Lojëra, atë të sllallomit të madh, nga 110 garues, Tahiri ia doli të zinte vendin e 56-të.