Tahiri numëron sukseset, opozita ia kujton ‘fusnotën’

Seanca e Kuvendit të Kosovës të enjten ka filluar me replika të shumta mes zëvendëskryeministres Edita Tahiri me deputetin e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca dhe atë të AAK-së Daut Haradinaj, rreth bisedimeve dhe integrimit të veriut të Mitrovicës.

Lajme

27/03/2014 11:13

Zëvendësministrja Tahiri beson se dialogu Kosovë-Serbi ka sjellë rezultate të prekshme sa i përket ndërhyrjeve të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Por deputetët e opozitës, Glauk Konjufca dhe Daut Haradinaj, kanë dhënë argumentet pse veriu nuk ka ndryshuar.

Dialogu Kosovë-Serbi ka sjellë rezultate të prekshme. Por, ai s’është marrë me çështjet e brendshme të Kosovës. Këto kanë qenë fjalët e zëvendëskryeministres, e cila po ashtu përmendi kufirin shtetëror dhe autoritet e shtetit të vendosura në veri, si punë e Qeverisë së Kosovës.

Konjufca nga Vetëvendosje, i është kundërvënë fjalëve të zëvendëskryeministres Tahiri, duke thënë se politika e Qeverisë së Kosovës ndaj veriut dhe ndaj Serbisë ka qenë një dështim total.

“Për arsye se, ju keni bërë kompromise në pikat kyçe të shtetësisë dhe sovranitetit të Kosovës. Ju po gënjeni kur po thoni që nuk ka struktura paralele kriminale në veriun e Kosovës. Njëra prej tyre është edhe ‘mbrojtja civile’ në veriun e Kosovës, e cila është një strukturë e armatosur e cila nuk është shpërbërë fare”, ka thënë Konjufca.

“Qe ta dini të vërtetën ju për shkak të këtyre strukturave as nuk guxoni të shkelni në veri. As nuk guxoni të shkoni personalisht në veri”.

Por, Tahiri nuk e la me aq, ajo në kundër-replikën e saj dha vërejtjen të shikohet me mendje dhe jo me sy nga Konjufca. I kujtoi atij numrin e saktë të barrikadave.

“Ky dialog ka sjellë rezultate të prekshme. E para, nuk është marrë me çështjet e brendshme të Kosovës, është marrë me ndërhyrje të Serbisë në punët e brendshme të Kosovës, prandaj rezultatet kanë qenë në shuarjen e strukturave ilegale”, ka thënë Tahiri.

“Të tillët që e kanë logjikën e makushit nuk i kanë parë që ekziston në Kosovë që nga viti 1999. Kanë vënë kufirin shtetëror janë vënë autoritetet e shtetit në veri, në pikat Jarinje dhe Bërnjak që s’i kemi pasur për shumë vite”.

“A e dini sa kanë qenë e sa janë sot. Kanë qenë 18, sot kanë mbetur vetëm dy që së shpejti hiqen. Andaj nëse sheh me mendje nuk i sheh fotografitë, por i sheh rezultatet”, ka thënë ndër të tjera zëvëndëskryeministrja.

Në anën tjetër, deputeti i AAK-së, Haradinaj ka thënë se gjendja në veri të Kosovës është pothuajse me e keqe se në vitin 2008, kur ishte shpallur pavarësia e Kosovës.

“Nëse flasim për doganat deri  më 17 shkurt, para shpalljes së pavarësisë, ka pasur dogana, dhe nuk ka pasur barrikada. Është dashur shumë vite për të ardhur deri te një situatë e re, që sot deri diku të kemi funksionim të doganave”.

Por Tahiri replikë kishte edhe për Haradinajn, edhe pse tha se s’ka dëshirë që në këso mënyra të bashkëbisedoj me të.

“Siç e dini, edhe AAK-ja ka qenë në pushtet kur ka pasur struktura paralele. Ka pasur që nga 1999 struktura paralele, i ka mohuar edhe UNMIK-u me logjikën e makushit, i kanë mohuar edhe gjitha qeverisjet që kemi pasur përfshi edhe të AAK-së”, ka thënë Tahiri, duke u propozuar deputetëve Konjufca dhe Haradinaj që së bashku me të të vizitojnë veriun për të parë realitetin në terren.

Por Haradinaj i ka thënë Tahirit se realitet është “fusnota e pashkrirë”, dhe se Qeveria nuk duhet të bëj përpjekje që tu qet hi syve qytetarëve.