Tahiri në Samitin Ministror të SEECP-së në Sofje

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, sot mori pjesë në Samitin Ministror të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), e cila u organizua nga Ministria e Jashtme e Bullgarisë si kryesuese e radhës e kësaj organizate të rëndësishme rajonale, ku Kosova është anëtare e barabartë me të drejta të plota.

Lajme

02/02/2016 20:16

 

Në këtë takim, që për temë kryesore kishte sfidat kryesore të rajonit të Evropës Juglindore, morën pjesë ministrat e jashtëm të trembëdhjetë vendeve anëtare, ndërsa takimi u kryesua nga ministri i Jashtëm bullgar, Daniel Mitov.

Ministrja Edita Tahiri iu drejtua këtij samiti me një fjalim rasti ku ndër të tjerash theksoi se Republika e Kosovës, si anëtarja më e re e SEECP, respekton plotësisht parimet dhe vlerat e SEECP duke përfshirë marrëdhëniet e mira fqinjësore, integritetin territorial dhe pronësinë rajonale, sepse beson që kjo siguron një bashkëpunim të qëndrueshëm rajonal në Evropën Juglindore.

“Ne besojmë se promovimi dhe respektimi i vlerave të SEECP garanton një ardhmëri më të mirë në Evropën Juglindore dhe ardhmërinë tonë euroatlantike”, citohet të ketë thënë Tahiri.

Ajo, tutje ka shtuar se Kosova beson se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal ri-fuqizojnë njëra tjetrën, por megjithatë ne mendojmë që fqinjësia e mirë duhet të promovohet më shumë dhe në të gjitha fushat.

Tahiri, po ashtu, ka thënë se Kosova mbetet e fokusuar në reformat evropiane dhe euroatlantike si themele për ndërtimin e shtetit tonë demokratik.

“Arritjet në reforma kanë sjell për Kosovën dhe qytetarët e saj ndryshime të rëndësishme pozitive në punët e brendshme dhe ndërkombëtare. Si rezultat, Kosova ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim me BE-në në tetorin e kaluar, duke e nisur zyrtarisht rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Kjo jo vetëm që ka qartësuar të ardhmen tonë euroatlantike por gjithashtu edhe përgjegjësinë tonë për të shtyrë përpara agjendën tonë të reformave”, ka thënë Tahiri, njofton ministria.

Sipas saj, Marrëveshja për Stabilizim dhe Asociim e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka qenë një moment historik në rrugën zyrtare të Kosovës drejt integrimit Evropian.

“Kjo i ka ndihmuar Kosovës që t’i rifreskoj motivimet për të shtyrë përpara reformat Evropiane dhe të vazhdojë qasjen e saj përgjegjëse në Dialogun e Brukselit. Vendimi i BE-së për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës paraqet një tjetër hap të rëndësishëm që Kosova e pret me meritë”, ka theksuar Tahiri.

Tahiri ka shtuar se e vetmja mënyrë për të përballuar sfidat dhe zhvillimet globale që ndikojnë tek në agjendat tona, mendojmë se arrihet përmes promovimit të bashkëpunimit dhe solidaritetit në rajon.

Në margjina të këtij samiti, ministrja Edita Tahiri është takuar me ministrin e jashtëm të Rumanisë, Lazar Comanescu, të cilin e falënderoi për përkrahjen e dhënë për anëtarësimin e Kosovës në SEECP dhe që kjo kishte ndodhur pikërisht në periudhën kur Rumania e kishte kryesimin e kësaj organizate, në kët ë frymë, ministrja Tahiri kërkoi bashkëpunime tjera në të ardhmen.

“Po ashtu, ministrja Tahiri e takoi edhe ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, ministrin e Jashtëm të Bosnje e Hercegovinës, Igor Crnadak, zëvendësministrin e jashtëm të Turqisë, Ali Naci Koru dhe zëvendësministrin e Jashtëm të Greqisë, Ioanis Amanatidis dhe të Moldavisë, Tudor Ulianovschi. Në delegacionin e Republikës së Kosovës të udhëhequr nga ministrja, Edita Tahiri, morën pjesë edhe këshilltari i saj kryesor, Dren Zeka, Ambasadori i Kosovës në Sofje, Shpend Kallaba dhe drejtori për rajonin në MPJ, Fitim Gllareva”, thuhet në komunikatë.