Tahiri: Në pjesën e parë të marsit Kosova e merr kodin shtetëror

Ministrja për Dialogun, Edita Tahiri ka thënë se janë duke i evidentuar ekzistimin e të gjitha strukturave paralele, për të arritur marrëveshje për shuarjen e tyre.

Lajme

06/01/2016 19:07

Ajo në një intervistë për Indeksonline ka treguar se Austria ka aplikuar për kodin telefonik të Kosovës që do të jetë 383, ndërsa ka treguar se temat e ardhshme me Serbinë janë: Demarkacioni, çështja e pensioneve dhe depozitave bankare, çështja e të pagjeturve, si dhe kemi temën e ndarjes së pasurisë që i takon Kosovës.

Kemi një deklarim të shtetit serb se strukturat paralele nuk do të shuhen. Cili është qëndrimi i Qeverisë së Kosovës?

Edita Tahiri: Ekziston marrëveshja për shuarjen e të gjitha strukturave paralele në Kosovë dhe ky është kusht i cili duhet të përmbushet para se të bëhet themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Lexova edhe unë një deklaratë të zyrtarëve serb por ajo nuk është e vërtet, kjo çështje është shtruar me Bashkimin Evropian dhe kemi marrëveshje me të. Në momentin kur fillon procesi i hartimit të statutit i cili ende nuk ka filluar, do të fillojë edhe puna për shuarjen strukturave paralele.

Në Bruksel do të formohet grup trepalësh nga Kosova, Serbia dhe BE-ja, i cili së pari do të evidentojë ekzistimin e të gjitha llojeve të këtyre strukturave që nga paslufta dhe pastaj do të arrihet marrëveshja dhe plani për zbatim për shuarjen deri në zero të secilës strukturë paralele dhe pasi që bëhet verifikimi praktik që këto janë shuar, që i bie që Serbia duhet të suprimoj apo t’i asgjësoj këto struktura, e që do të thotë ti ndal pagat për këto struktura, si dhe të ndryshoj ligjet e saj, pastaj hapet rruga që ne ti japim dritën e gjelbër për themelimin e Asociacionit.

A po kryhet çështja e kodit telefonik me Austrinë?

Edita Tahiri: Më 4 janar Austria ka aplikuar për kodin telefonik 383 për Kosovën dhe sipas marrëveshjes së Brukselit, në pjesën e parë të muajit mars, Kosovës do t’i ndahet kodi i saj shtetëror. Po ashtu, kemi marr garanca nga BE-ja se Serbia nuk do të mund të bëj ndonjë obstruksion që ta shtyj këtë çështje, sepse ky kod është dashur të merret në janar, por për shkak se pala serbe ka vonuar regjistrimin e kompanisë ka ndodh shtyrja.

Duke qenë se vazhdimisht po ballafaqohemi me tendencat e Serbisë për shtyrje të zbatimit, ne kemi kërkuar garanca dhe i kemi shprehur në planin për zbatimin për telekom, e që i kemi publikuar edhe në faqen tonë edhe në atë të BE-së. Pra në fillim të marsit merret kodi i Kosovës dhe kjo është e sigurt, e garantuar nga BE-ja.

Cilat janë temat e ardhshme që do të fliten në mes Prishtinës dhe Beogradit, dhe a do të hapet edhe çështja e pensioneve?

Edita Tahiri: Temat e ardhshme i kemi paraqit edhe në BE. Tema e parë është Demarkacioni kufitar mes dy shteteve, tema e njohjes reciproke mes dy shteteve, pastaj tema për shuarjen e strukturave paralele serbe në Kosovë, tema e kompensimit të dëmeve të luftës në të cilën përfshihen edhe çështja e pensioneve dhe depozitave bankare, çështja e të pagjeturve, si dhe kemi temën e ndarjes së pasurisë së ish-Jugosllavisë, ku 1/8 e kësaj pasurie i takon Kosovës si dhe në afat të shkurtë jemi para dakordimit të çështjeve për transportin hekurudhor dhe ajror.

A u është thënë se Serbia duhet të heq nga preambula e Kushtetutës së saj pjesën ku Kosova figuron si territor i saj?

Edita Tahiri: Kjo kërkesë është bërë që nga fillimi i dialogut, e kemi kërkuar edhe gjatë negocimit edhe gjatë prezantimit të dokumenteve, platformave por edhe kur kemi bërë kërkesë për shuarjen e strukturave paralele në Kosovë, pika e parë e kërkesës sonë është që Serbia duhet të heq Kosovën nga preambula e Kushtetutës së saj, po ashtu e kemi theksuar se përderisa dy shtetet janë në rrugën e integrimit në BE, e Kosova bile është në rrugën zyrtare drejt BE-së me nënshkrimin e MSA-së e edhe Serbia është në rrugën e saj për në BE, atëherë është kundërshtuese qe Serbia të mbaj në Kushtetutë edhe më tutje një formulim të shtetit fqinj.

Me këtë rast, i kemi dhënë kritika edhe BE-së që nuk mund të vazhdoj kjo dykuptimësi apo paradoks, BE e ka të qartë dhe Serbisë ia ka komunikuar që fqinjësia e mirë nënkupton edhe Kushtetuta e qarta.

Edhe një çështje që dua t’ia them, është se negociatat e Serbisë me BE-në bëhen me hartën pa Kosovën, sepse në procesin e integrimit evropian shteti duhet të ketë kufij, dhe mund të kontaktoni edhe me BE-në se Serbia negocion pa Kosovën në hartën e saj./indeskonline