Tahiri në Gjermani kërkon nënshkrim të MSA-së e heqje të vizave
Ministrja për Dialog në Qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, gjatë qëndrimit të saj në Gjermani ka zhvilluar takime me përfaqësues të qeverisë gjermane, ministrin e Shtetit për Evropën Michael Roth dhe me Ernst Reichel, Emisar Special për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s.

Lajme
Në takimin me ministrin e Shtetit për Evropën, Michael Roth, ministrja Tahiri e njohu zyrtarin e lartë gjerman me reformat e thella të Republikës së Kosovës në drejtim të konsolidimit të shtetit ligjor dhe zhvillimit ekonomik të vendit si prioritete kryesore për forcimin e shtetit dhe integrimet euro-atlantike,thuhet në një njoftim të Qeverisë së Kosovës.
Tahiri theksoi se Kosova është e interesuar për fqinjësi të mirë, si dhe kërkoi që nënshkrimi i MSA-së dhe liberalizimi i vizave të bëhet sa më shpejtë.
“Kosova shquhet si faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon përmes angazhimeve të saja për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal, të cilën po e dëshmon edhe në kuadër të dialogut të Brukselit. Nënshkrimi i Marrëveshjes Stabilizim Asociim dhe heqja e vizave për qytetarët e Kosovës duhet të ndodhin shpejtë për të siguruar Kosovën dhe popullin e saj se rruga e tyre për BE është e qartë dhe e sigurt”, ka thënë Tahiri.
Kurse ministri gjerman Roth theksoi se Gjermania është e përkushtuar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me Kosovën dhe mbështet fuqishëm integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe strukturat euro-atlantike, ndërkaq vlerësoi procesin e reformave që Qeveria e Kosovës po ndërmerr në drejtim të zhvillimit dhe forcimit të shtetit.
“Gjermania mbështet dialogun e Brukselit dhe normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë duke potencuar rëndësinë e përparimeve të mëtejme në këtë proces që do të ndihmoj dyja shtetet në rrugën e tyre për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian”, tha Roth.
Ministrja Tahiri zhvilloi takim edhe me Ernst Reichel, Emisar Special për Evropën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, me të cilin në një bisedë të gjatë u diskutuan shumë aspekte të bashkëpunimit mes dy vendeve dhe sidomos çështjet e reformave që i mundësojnë Kosovës ecje më të shpejtë drejtë Bashkimit Evropian.
Kurse Reichel shprehu gatishmërinë e qeverisë gjermane për të thelluar bashkëpunimin me Kosovën si dhe vazhdimin e mbështetjes për rrugën e reformave evropiane të Kosovës.
Ministrja Tahiri zhvilloi dhe aktivitete tjera, ndër tjerash, ajo mori pjesë në takimin e njëzetë ndërkombëtare të “Lutjeve të Mëngjesit” në Berlin, takim ky që bashkon lider, politikan deputet nga mbarë bota dhe të cilit iu drejtuan me fjalë rasti edhe Kryetari i Bundestagut të Gjermanisë Dr. Norbert Lammert dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani.
Po ashtu, ishte e pranishme në seancën e Bundestagut Gjerman ku ndoqi fjalimin e ministrit të Jashtëm gjerman Frank Walter Steinmeier që iu kushtua zgjatjes së mandatit të KFOR-it në Kosovë.