Tahiri në Bruksel: Të nënshkruhet MSA dhe liberalizmi i vizave

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri, gjatë takimit në Bruksel me Drejtoren e re për Evropën Perëndimore, Ballkanin Perëndimor dhe Turqinë, në Shërbimin e Jashtëm të BE-së, Angelina Eichhorst,  ka kërkuar nga BE-ja ta nënshkruaj Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me Kosovën sa më shpejtë si dhe tu mundësoht kosovarëve që nga viti tjetër të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së.

Lajme

01/10/2015 11:51

Ky takim kishte për qëllim vlerësimin e rrjedhave dhe rezultateve të dialogut të Brukselit në periudhën e kaluar, raporton lajmi.net.

Të dy bashkëbisedueset u pajtuan se ka pasur arritje mjaft të rëndësishme në Dialogun e Brukselit dhe BE-ja ka dhënë një kontribut të madh për ndërmjetësimin e bisedimeve mes dy shteteve, Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Duke marrë parasysh se në Konferencën e Rambujesë dhe bisedimet e Vjenës nuk janë arritur marrëveshje mes palëve, u tha se ky dialog ka shënuar rezultate historike ngase për herë të parë janë nënshkruar marrëveshje në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të cilat kanë ndikuar në normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja vendeve dhe përafrimin e agjendave të secilës prej tyre në rrugën e integrimit në Bashkimit Evropian.

“Ministrja Edita Tahiri theksoi që Kosova ka qenë palë konstruktive në këtë dialog që ndihmon paqen dhe stabilitetin në rajon dhe kërkoi që BE-ja ta nënshkruaj Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me Kosovën sa më shpejtë. Ajo tha se kjo është marrëveshja e parë në mes të shtetit të Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe ne presim të nënshkruhet në muajin tetor të këtij viti, dhe e cila do t’i jep një motivacionin të ri dialogut të mëtejmë të Brukselit dhe reformave evropiane në Kosovë.  Po ashtu që edhe vendimi për liberalizimin e vizave me Kosovën të merret këtë vit, e që nga viti tjetër qytetarët e Republikës së Kosovës të mund të udhëtojnë pa viza në vendet e BE-së”,  thuhet në njoftim.

Në takim, ministrja Tahiri përmendi sfidat në procesin e zbatimit të marrëveshjeve dhe paradokset që janë në këtë proces, duke thënë se normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve kërkon nga Serbia të ndërpres ndërhyrjet në Kosovë duke zhbërë strukturat e mbetura paralele, në respektim të marrëveshjeve të Brukselit.

Në anën tjetër drejtorja Eichhorst e vlerësoi lartë konstruktivitetin e Qeverisë së Kosovës në arritjen dhe zbatimin e marrëveshjeve në dialogun e Brukselit, ajo po ashtu tha se BE-ja mbetet plotësisht e përkushtuar në mbështetje të Kosovës dhe rrugën e saj drejtë BE-së. Ajo premtoi se do të angazhohet për të çuar përpara dialogun e Brukselit dhe fokusi do jetë po ashtu në zbatimin e plotë të marrëveshjeve nga palët.

Në këtë takim, ministrja Tahiri shoqërohej nga këshilltari kryesor politik Dren Zeka, koordinator në dialog dhe sekretari i MAPL-së, Besnik Osmani, koordinator,  ndërsa, Angelina Eichhorst, ishte e shoqëruar nga Anna Maria Boura, këshilltare e lartë e Shërbimit të Jashtëm të BE-së dhe ndërmjetësuese në dialog./lajmi.net.