lajmi.net

Tahiri: Marrëveshja për sigurimin e automjeteve është afër

Përfaqësues të institucioneve të Kosovës shprehen optimist se marrëveshja për sigurimin e automjeteve në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të arrihet shumë shpejt.

Lajme

26/05/2014 13:56

Zëvendëskryeministrja në detyrë Edita Tahiri thotë se ka përafrim të qëndrimeve në mes palëve lidhur me sigurimin e automjeteve në kufirin Kosovë-Serbi, por ende nuk ka një marrëveshje konkrete.

Tahiri pret që kjo çështje  të zgjidhet në takimin e radhës që pritet të mbahet në pjesën e dytë të qershorit. 

“Gjërat janë afruar shumë, jemi shumë afër marrëveshjes. Unë pres që diku në pjesën e dytë të qershorit të kemi një takim trepalësh, ku do të marrë pjesë edhe pala serbe dhe pres që do të arrijmë marrëveshje apo një memorandum bashkëpunimi në mes të byrosë së Kosovës dhe asaj të Serbisë me garantimin e Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Byrove Evropiane”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Tahiri.
 
Kryesuesja e delegacionit nga Kosova, Edita Tahiri, thotë se një marrëveshje e tillë do të lehtësonte tarifat për sigurimin e automjeteve. Ajo përmend edhe faktin se të pakënaqur me këto çmime janë, si qytetarët e Kosovës, ashtu edhe ata të Serbisë.
 
“Unë jam optimiste se do të arrihet marrëveshja për sigurimet kufitare, e cila synon lehtësimin e tarifave për sigurimin e automjeteve, sepse deri tash tarifat janë shumë të larta për qytetarët e shtetit tonë dhe qytetarët e shtetit fqinj, Serbisë”, thekson Tahiri.  
 
Në anën tjetër, ministri në detyrë i Diasporës, Ibrahim Makolli, konsideron se mosarritja e një marrëveshjeje të tillë dhe vonesa e saj ka dëmtuar në masë të madhe kosovarët si brenda, ashtu edhe ata në mërgatë.

 “Jam shumë i bindur se kjo çështje është neglizhuar deri tash në masën bukur të mirë. Nuk kemi qenë shumë këmbëngulës edhe nuk është shikuar si një nevojë edhe domosdoshmëri e prioritet. Besoj se kjo çështje do të zgjidhet sa më shpejt që është e mundur”.

“Është detyrim i yni i të gjitha këtyre institucioneve, Bordit nacional të kartoni të gjelbër, Bankës Qendrore, autoriteteve të tjera që të krijojnë të gjitha kushtet në mënyrë që edhe Kosova të jetë pjesë e këtij rrjeti”, shprehet Makolli.
 
Kosova ende nuk është pjesë e në Këshillit të Byrove Evropiane, në Bruksel që siguron Kartonin e Gjelbër, si policë ndërkombëtare e sigurimeve kufitare për shteteve e Evropës.
 
Edita Tahiri thotë se në takimin e fundit në Bruksel është biseduar edhe për këtë çështje. Sipas saj, në takim është kërkuar rritja e kapaciteteve profesionale të Byrosë së Sigurimeve, krijimi i një fondi garantues dhe disa kritere të tjera.
 
“Mund t’ju them se disa nga këto kritere tashmë Kosova i ka plotësuar, por janë edhe disa të tjera siç është rritja e kapaciteteve profesionale, krijimi i një fondi garantues, të cilin e bën çdo shtet që aspiron për të marrë fillimisht një status kalimtar, e pastaj për t’u bërë edhe anëtar i plotë”, shpjegon zëvendëskryeministrja në largim Tahiri.

Tahiri: Marrëveshja për sigurimin e automjeteve është afër

Tahiri thotë se ka biseduar në Bruksel me zyrtarë të lartë të BE-së për uljen e çmimeve të polisave të sigurimit të automjeteve. Ajo shprehet e bindur se marrëveshja për sigurimin e automjeteve në pikëkalimet kufitare Kosovë-Serbi është shumë afër.

Lajme

24/05/2014 16:26

Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri beson se shumë shpejt do të arrihet një marrëveshje për sigurimin e automjeteve në pikëkalimet kufitare Kosovë-Serbi, ujdi kjo që do të garantohet nga BE.

Për këtë çështje, Tahiri ka biseduar me zyrtarë të lartë të Bashkimit Europian dhe të Këshillit të Byrove europiane, transmeton Radio Kosova.

“Jemi shumë afër arritjes së një marrëveshje, përkatësisht një memorandumi të bashkëpunimit me garantimin e palës së tretë pra të BE-së, mes byrosë së sigurimeve të Kosovës dhe mekanizmit homolog në Serbi, e cila marrëveshje në fakt do të krijojë kushte që sigurimi i automjeteve kufitare të zgjidhet sipas modeleve që ka Kosova me shtetet fqinje”, tha ajo.

“Qëllimi është pra ulja e tarifave, normalizimi i tarifave siç është për çdo vend tjetër dhe heqja e vështirësive për lëvizjen e lirë si një parim themelor edhe i BE-së por edhe i shtetit tonë i cili ka një kushtetutë demokratike ku garantohet lëvizja e lirë e qytetarëve”, tha Tahiri.

Sa i përket takimeve tri palëshe në këtë fazë, ndërmjet Kosovës, Serbisë dhe BE-së, zëvendëskryeministrja Tahiri thotë se mund të fillojnë pas zgjedhjeve nacionale në Kosovë.

“Mendoj se deri pjesën e dytë të qershorit, sepse tash jemi në periudhë zgjedhore nuk mund të zhvillojmë bisedime trepalëshe. Në këtë periudhë do t’i mbajmë vetëm takime dy paleshe, por pas zgjedhjeve menjëherë pres që do të kemi këtë marrëveshje dhe menjëherë fillon edhe zbatimi”, tha Tahiri.

LM