Tahiri: Kodi i telefonisë, mbase në bashkëpunim me Austrinë

Certifikimi i rezultateve për zgjedhjet nacionale të 8 qershorit është i rëndësishëm jo vetëm për partitë politike dhe formimin e institucioneve të reja të Kosovës, por ai ndikon edhe në marrëveshjet e arritura mes Kosovë dhe Serbisë, ndër të cilët është edhe ajo për kodin telefonik.

Lajme

24/06/2014 21:54

Zëvendëskryeministrja në detyrë, Edita Tahiri tha për RTK se ende nuk ka lëvizje në drejtim të marrjes së kodit të telefonisë për Kosovën, por vlerëson se Austria do të jetë shteti që do të aplikojë për kodin telefonik të Kosovës.

Prishtina e Beogradi në bisedimet në Bruksel, në shtator të vitit 2013, janë pajtuar që Kosova të marrë kodin ndërkombëtar telefonik +383 ose 384, për të cilin është thënë se do të aplikojë një shtet anëtar i BE-së: Suedia, Italia ose Austria.

Aktualisht, pasi Kosova nuk ka kod të vetin telefonik, atëherë operatorëve të licencuar u është lënë mundësia që të bëjnë marrëveshje me shtete të tjera për shfrytëzimin e kodeve të tyre telefonike, çka nënkupton se operatorët paguajnë shuma të caktuara sipas marrëveshjeve përkatëse për shfrytëzimin e këtyre kodeve për bartjen e trafikut përmes këtyre shteteve. Aktualisht, Kosova i shfrytëzon tri kode për shërbime telefonike +377, +386, për shërbime të telefonisë mobile, dhe +381 për shërbime të telefonisë fikse.