Tahiri kërkon që Bullgaria ta mbështesë Kosovën për vizat

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri është pritur në takim nga ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Daniel Mitov, me të cilin ka biseduar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve, për integrimet euroatlantike të Kosovës dhe bashkëpunimin rajonal. Në këtë takim, ministrja Edita Tahiri vlerësoi lartë marrëdhëniet miqësore mes Kosovës dhe…

Lajme

02/02/2016 12:02

Ministrja për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri është pritur në takim nga ministri i Jashtëm i Bullgarisë, Daniel Mitov, me të cilin ka biseduar për forcimin e marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve, për integrimet euroatlantike të Kosovës dhe bashkëpunimin rajonal.

Në këtë takim, ministrja Edita Tahiri vlerësoi lartë marrëdhëniet miqësore mes Kosovës dhe Bullgarisë dhe shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejmë të tyre në të gjitha fushat me theks në fushën e ekonomisë, arsimit dhe kulturës.

Ajo falënderoi ministrin Mitov për përkrahjen e vazhdueshme që Bullgaria po e jep për Kosovën përmes bashkëpunimit bilateral dhe rajonal, dhe theksoi se njohja e menjëhershme e pavarësisë së Kosovës nga Bullgaria është një vlerë historike për marrëdhëniet mes dy vendeve e popujve. Po ashtu, u vlerësua lartë edhe mbështetja e dhënë në kuadër të integrimeve euroatlantike të Kosovës.

Tahiri theksoi se Kosova dhe Bullgaria kanë vizionin e përbashkët euroatlantik dhe po ashtu e njoftoi atë me progresin e arritur në Kosovë dhe reformat që po ndërmerr Qeveria e Kosovës për shtetndërtim demokratik, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik d he integrimet me theks ato që kanë të bëjnë më avancimin e agjendës evropiane të Kosovës.

Sipas një komunikate të Qeverisë së Kosovës, Tahiri nënvizoi se nënshkrimi i Marrëveshjes për Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe BE-së ka vendosur Kosovën në rrugën zyrtare të anëtarësimit në BE, si dhe kërkoi që Bullgaria ta mbështesë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave, për të cilin ministrja Tahiri shtoi se Kosova i ka përmbushur të gjitha obligimet.

Më pas, ministrja Edita Tahiri nënvizoi nevojën e fuqizimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare dhe këmbimin e përvojave në fushën e sundimit të ligjit dhe integrimeve euro-atlantike.

Nga ana e tij, ministri i jashtëm Mitov tha se shteti bullgar e ndjekë me interesim të veçantë progresin në Kosovë, sidomos hapat e rëndësishëm të shënuar në kuadër të integrimit evropian. Ai tha se Bullgaria do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në përmbushjen e synimeve të saja për një shtet të suksesshëm të integruar në bashkësinë euroatlantike.

Ministri Mitov theksoi se Bullgaria do të vazhdoj të thelloj marrëdhëniet me shtetin e Kosovës, si dhe vlerësoi angazhimet e Kosovës në fusha të rëndësishme si sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik, duke thënë që edhe Bullgaria vazhdon t’i ketë këto prioritete dhe se janë të gatshëm për këmbimin e përvojave dhe mbështetjen e tyre në këto aspekte.

Ai tha se Bullgaria e mbështetë plotësisht liberalizimin e vizave në mes të Kosovës dhe BE-së dhe po ashtu tha se e vlerësojnë lartë rolin konstruktiv të Kosovës për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim rajonal dhe në këtë kuadër edhe dialogun për fqinjësi të mirë mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Ministrja Edita Tahiri, gjatë qëndrimit në Sofje të Bullgarisë do të zhvillojë edhe takime tjera me zyrtarë të lartë të sht etit bullgar dhe merr pjesë në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP)./Kp