Tahiri ka respekt për Thaçin

Kryetarja e ADK-së, Edita Tahiri thotë se ka bërë koalicion sërish me PDK-në, sepse dëshiron të bashkëqeverisin prapë me këtë parti. Ajo ka thënë se ADK dhe PDK ndajnë të njëjtin vizion të përbashkët për Kosovën.

Lajme

21/05/2014 09:37

Kryetarja e Alternativës Demokratike të Kosovës (ADK) Edita Tahiri e cila është në listën për kandidate për deputet në koalicion me PDK-në, ka thënë se partia e saj dhe ajo e Hashim Thaçit, kanë vizion të përbashkët.

“Arsyet kryesore pse Alternativa Demokratike e Kosovës ka hyrë përsëri në koalicion me PDK-në kanë të bëjnë së pari me vizionin e përbashkët që kemi për një Kosovë euroatlantike si dhe për sukseset që i kemi pasur në bashkëqeverisjen e kaluar”.

Në një intervistë për “Epoka e Re”, Tahiri ka thënë se me liderin e PDK-së ka një bashkëpunim dhe respekt reciprok që nga koha e Konferencës së Rambujesë.

Ajo ka thënë se lista e PDK-së është lista me kuadrot më të mira. Ajo ka thënë se ADK dhe PDK kanë hyrë në koalicion sepse dëshirojnë që sërish të bashkëqeverisin.

 “Lista e PDK-së dhe partnerëve të saj mund të them me përgjegjësi të plotë se përmbanë vlera kuadrosh të cilat nuk i ka asnjë parti tjetër. Por, përveç vlerave të kuadrove që janë, qoftë në kuptimin politik dhe akademik, mund të them se puna e Qeverisë këto vite flet dhe jam e bindur se qytetarët e kanë vlerësuar dhe do ta vlerësojnë”.

“Sigurisht se kemi hyrë në këtë koalicion për bashkëqeverisje. Sa për deputetë kemi mundur të jemi edhe diku tjetër”, ka thënë Edita Tahiri për “Epoka e Re”.