Tahiri ia kujton se Kurtit se VV votoi kundër ligjeve për ndihmën ndaj qytetarëve

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u ka dërguar sot letër ambasadorëve të vendeve mike të Kosovës, nga të cilët ka kërkuar ndihmë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi me pandeminë e COVID-19.

Lajme

10/08/2020 19:32

E në lidhje me këtë letër kanë reaguar edhe nga Partia Demokratike e Kosovës.

Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, me anë të një postimi në Facebook ia ka kujtuar Kurtit se deputetët e partisë së tij nuk votuan ligjet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve që janë prekur ekonomikisht nga pandemia.

Siç është shprehur Tahiri, “fshehja e përgjegjësisë dhe hipokrizia përballë kësaj situate nuk mund të kamuflohen me simbolika dashamirëse”.

Postimi i plotë:

Sot, Albin Kurti u kërkoi ndihmë shteteve mike të Kosovës, por javën që lamë pas ishin pikërisht deputetët e partisë së tij që nuk votuan ligjet e nevojshme për t’u dalë në ndihmë qytetarëve të goditur nga pandemia, në mes tjerash ligjin që mundëson tërheqjen e 10 % të parave nga Trusti. Pra, kishte mundësi t’ua lehtësonte barrën qytetarëve, por Kurti dhe deputetët e tij nuk e bënë këtë. Ashtu siç nuk e bënë as kur e qeverisnin vendin.

Fshehja e përgjegjësisë dhe hipokrizia përballë kësaj situate nuk mund të kamuflohen me simbolika dashamirëse.

Natyrisht se Kosova ka nevojë për ndihmën e vendeve mike. Por, vendet mike duhet po ashtu t’i kursejmë nga përgjegjësitë që na takojnë neve si politikanë, prej të cilave komplet Vetëvendosja dhe lideri i saj kanë hequr dorë. /Lajmi.net/