Tahiri i lutet Zotit që koalicioni me LDK-në të jetë afatgjatë

Zv.kryeministri i Kosovës nga AAK, Besnik Tahiri ka folur sot për raportet e partisë së tij me partnerin e koalicionit qeverisë, LDK-në.

Lajme

12/08/2020 12:48

I pyetur nga gazetarët lidhur me ‘përplasjet’ e fundit mes tyre, Tahiri ka mohuar zërat për një acarim, duke thënë se raportet i kanë të mira.

“Raportet nuk kanë qenë të ashpërsuara, nuk kemi pas arsye me i relaksu se kemi qene çdo ditë bashkë. Raporti LDK-AAK, si dy parti të qendrës së djathtë, nuk kemi asnjë problem, e kemi shumicën parlamentare, programet dhe qëndrimet për tema nacionale si dialogu i bëjmë në formën e një partneri”, tha Tahiri.

Ai tha se koalicioni është ndërtuar për kohë afatgjatë.

“Kemi marrëdhënie pune të shkëlqyeshme të cilat do t’i kultivojmë, sepse ky koalicion është ndërtuar në bazën e një synimi afatgjatë, dhashtë Zoti të jetë kështu, po nëse jo, atëherë vazhdojmë tutje”, ka deklaruar ai.