Tahiri-Hotit: S’di ku merrni guximin të dilni e të deklaroheni për Task-Forcën, ju i shkëputët krahun Prokurorisë Speciale
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka deklaruar se kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ia ka bërë dëmin më të madh Kosovës në kuadër të luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, duke shfuqizuar Task-Forcën.

Lajme
Tahiri tha se nuk e di ku po e merr Hoti guximin që të dalë e të deklarohet për pretendimet e kësaj çështje, pasi këto janë punë të policisë dhe Prokurorisë.
“Veprimet nëse janë në kundërshtim atëherë ka vend ku duhet drejtuar, ne e kemi edhe Kushtetutën edhe të gjitha. Avullimi i 2 milionëve dhe rastet e tjera janë dëshmi e madhe se task-forca nuk është dashur të shfuqizohet. Ju i keni shkëput një krah Prokurorisë Speciale, sepse këta njerëz kanë bërë hetime të korrupsionit të nivelit të lartë. Ajo që ke bërë, zhbërja e task-forcës do të thotë shkëputja e një krahu, pra të hetuesisë, pra që policëve hetues që me punën e tyre u realizua një pikë e liberalizimit të vizave, duke e luftuar krimin dhe korrupsionin. Ju e keni dëmtu prokurorinë me këtë çështje”, tha ai.
Tutje Tahiri tha se Hoti vendosi të përzihet në Prokurori e Polici, se si të bëhet puna.
“S’është çështja e juaj t’i tregoni prokurorisë se çfarë të bëjë. Është dëmi më i madh që i është bërë Kosovës, në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, shtoi ai./Lajmi.net/