Tahiri: Fuqizimi i sundimit të ligjit mundësoi rekomandimin për liberalizim

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë të ditur se përgjatë 10 muajve të mandatit të tij si udhëheqës i Ministrisë së Drejtësisë, ka sponzoruar në Qeveri dhe Kuvend nismat legjislative të cilat për qëllim kanë pasur fuqizimin e sundimit të ligjit.

Lajme

18/07/2018 17:15

“Përgjatë këtyre 10 muajve të qeverisjes si Ministër i Drejtësisë, jam angazhuar çdo ditë që Republika e Kosovës si e ardhmja jonë  e përbashkët dhe e ardhmja jonë e përhershme, sundimin  e ligjit ta ketë normë qendrore dhe temë themelore që definon natyrën dhe identitetin tonë kolektiv si shoqëri progresive dhe e përkushtuar për rend dhe ligj. Nismat legjislative që kam sponzoruar në Qeveri dhe Kuvend përgjatë këtyre muajve, kanë pasur një qëllim të vetëm: fuqizimin e sundimit të ligjit si koncept i barazisë para ligjit, i ligjit mbi të gjithë dhe i qeverisjes ekskluzivisht mbi bazën e ligjit. Natyrisht se këto janë obligimet tona që i kemi në raport me qytetarët të cilëve iu shërbejmë, por është vërtetë inkurajuese të shohim tashmë edhe konkretisht se situata në sektorin e drejtësisë dhe sundimit të ligjit ka filluar të ndryshojë fuqishëm” ka shkruar Tahiri.

Gjithashtu, Ministri Tahiri ka bërë të ditur se, në trajektoren e përmbushjes së kriterit të fundit për liberalizimin e vizave, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, rëndësinë e veçantë kanë pasur edhe Projekt-Kodi Penal si dhe Projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme.

“Rekomandimi për liberalizimin e vizave për Kosovën nga Komisioni Evropian, përveç se është përcaktim për t’ia njohur meritën popullit të Kosovës si një popull që e ka vendin përkrah qytetërimeve perëndimore e demokratike, në radhë të parë është përcaktim për t’i njohur përpjekjet që kemi bërë si Qeveri e Kosovës përgjatë këtyre 10 muajve, në përmbushjen me efikasitet të kritereve për liberalizim. Në trajektoren e përmbushjes së kriterit të fundit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, një rendësi të veçantë ka pasur fuqizimi i bazës ligjore, ndër të cilat, Projekt-Kodi Penal si dhe Projektligji për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë së Paligjshme kanë qenë vendimtare. Sot, kur perspektiva evropiane u konfirmua, mund të reflektojmë hapur dhe të kuptojmë drejtë se liberalizimi i vizave nuk është dhuratë por është ekskluzivisht produkt i angazhimit tonë konkret për të bërë një hap më tutje në qeverisjen kuptimplotë, ku sundimi i ligjit është kriteri përcaktues i marrëdhënieve mes qytetarëve dhe mes entiteteve sociale, politike e ekonomike. Si i tillë, ky hap duhet të zgjerojë ambiciet tona si shtet, për të qenë këmbëngulës në orientimet tona sepse kur ka vullnet politik dhe angazhim real, asgjë nuk është e pamundur” ka shkruar Tahiri.

Për më shumë, Ministri Tahiri falënderoi partnerët zhvillimor si dhe deputetët për mbështetjen e tyre të dhënë për miratimin në parim të nismave legjislative, të cilat kanë qenë vendimtare për liberalizimin e vizave.

“Jam tejet falënderues ndaj partnerëve tanë zhvillimor si dhe deputetëve të Kuvendit të Kosovës për mbështetjen e dhënë në miratimin në parim të nismave legjislative, të cilat kanë qenë vendimtare që qytetarët e Kosovës të mund të lëvizin lirshëm në Zonën Shengen. Tani e tutje, do vazhdojmë më një ritëm të ri për të ofruar zgjidhje reale për secilën nga çështjet që kërkon zgjidhje në sektorin e drejtësisë. Ky është vit i diferencës për drejtësinë që duam ta kemi dhe të cilën e presin qytetarët tanë” ka përfunduar Tahiri./Express/