Tahiri: Fitores së PDK-së me 6 Tetor, po i bashkëngjiten profesionistë të rinj e kompetent

16:04 | 20 Shtator 2019

Zyrtari i lartë i PDK-së, Abelard Tahiri, sot ka mirëpritur në Partinë Demokratike të Kosovës ligjëruesen Laura Hoti, një profesioniste e fushës së juridikut.

Përmes rrjetit social Facebook, Abelard Tahiri ka prezantuar profilin e Laura Hotit duke e vlerësuar të njëjtën si një potencial me kompetencë të lartë që i është bashkëngjitur vizionit të PDK-së dhe Kryetarit të saj Kadri Veseli.

“Isha i nderuar që prita sot në radhët tona, Laura Hotin, një profesioniste e vërtetë e fushës juridike. E arsimuar dhe me studime postdiplomike në shkencat e së drejtës, ligjëruese, hulumtuese dhe menaxhere e suksesshme, Laura i jep fuqi edhe më të madhe kauzës tonë legjitime për një shtet të drejtë dhe për institucione që diktohen nga profesionalizmi”, ka shkruar Tahiri në Facebook.

Tahiri tha se rrugëtimi i përbashkët politik me ligjëruesen Hoti dhe me profesionistë të tjerë që po i bashkëngjiten PDK-së, po i jep mbështetje vizionit të qeverisjes së ardhshme të PDK-së dhe kryeministrit Kadri Veseli.

“Vizionit të Kryeministrit të ardhshëm Kadri Veseli po i bashkëngjiten edhe profesionistë të rinj me kompetencë. Bashkë me Laurën dhe me profesionistë të tjerë që për çdo ditë po i bashkëngjiten vizionit të PDK-së, do ta zhvillojmë e zbatojmë deri në fund platformën tonë politike për Kosovën që duam. Ndërtojmë të ardhmen, për ty dhe shtetin!”, ka shkruar Tahiri. /Lajmi.net/