​Tahiri: Dialogu në formatin aktual është i dështuar

Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë, i cili do të mbahet të martën e ardhshme në Bruksel për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është i panevojshëm. Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri vlerëson se në formatin aktual dialogu me Serbinë është proces i dështuar. Ai flet edhe për sulmin terrorist të…

Lajme

15/12/2024 15:43

Takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe të Serbisë, i cili do të mbahet të martën e ardhshme në Bruksel për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është i panevojshëm.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri vlerëson se në formatin aktual dialogu me Serbinë është proces i dështuar.

Ai flet edhe për sulmin terrorist të 29 nëntorit në kanalin e Ibër Lepencit, veprimin e FKS-së në veri, si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 9 shkurtit 2025.

“E shoh plotësisht të panevojshëm takimin e 17 dhjetorit. Dialogu në formatin si po ndodh ka dështuar. Ka dështuar në zbatimin e obligimeve që kanë marrë shtetet. Në këtë rast fillimisht Serbia ka punuar në pengimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare dhe ka dështuar qeveria me qasjen e vet joserioze, jo diplomatike dhe jo shtet-formuese. Fotografia ka me qenë produkti i vetëm i takimit të 17 dhjetorit. Pra një fotografi mes zotëri Bislimi dhe Petkoviq. Asnjë benefit për Kosovën”, thotë ai.

Duke folur për sulmin terrorist të 29 nëntorit në veri të vendit, Tahiri tha se Qeveria ka dështuar të ’bind aleatët se Serbia qëndron prapa këtij sulmi.

“(Qeveria)Kjo ka dështuar në shumicën e elementeve që do të duhej të forconin sovranitetin e Kosovës, ka dështuar. Këta i thonë popullit të Kosovës që ne e kemi shtrirë sovranitetin në një oborr të një komune. Këta i kanë në dorë argumentet që Serbia i bën Kosovës. E kemi humbur Këshillin e Evropës për shkak të eksperimentimit dhe shakave të udhëheqësve shtetëror. Qysh ka mundësi, presidentja, kyreparlamentari dhe kryeministri me shkru letër që po e pranojmë Asociacionin pa e marrë anëtarësimin në Këshill të Evropës”, thekson ai.

Tahiri u pyet edhe për ndërhyrjen e FSK-së në veri dhe nëse duhet një protokoll i ri bashkëpunimi. Ai tha se ndërtimi i marrëdhënieve me NATO-n, duhet të ndodh shumë më të shpejtë, përmes planit aksional për anëtarësim direkt në NATO, të cilën sipas tij, e parasheh AAK-ja.

Sipas tij, kryeministri Kurti me qasjen e vet tërësisht jostrategjike, të njëanshme dhe të pakonsoltuar po e dëmton Kosovën.

“Zotëri Kurti me qasjen e vet tërësisht jostrategjike, të njëanshme, të pakonsoltuar është ka e dëmton Kosovën. Nuk është duke e forcuar Kosovën. Kjo qasje duhet të ndalet dhe jam i bindur se kjo ndalje do të ndodh me datën 9 shkurt…Ne e shohim ndërtimin e marrëdhënieve me NATO-n, shumë më të shpejtë dhe konkret duke i marrë përgjegjësit si shtet por edhe duke kërkuar anëtarësimin. Çfarëdo hapi tjetër taktik e pengon rrugëtimin strategjik afatgjatë të Kosovës për me hy në NATO”, nënvizon Tahiri.

Sa i përket zgjedhjeve të 9 shkurtit, shefi i deputetëve të AAK-së, Tahiri tha se pret që partitë opozitare të fitojnë garën elektorale, duke shtuar se formimi i Qeverisë së ardhshme nuk do të jetë proces i lehtë.

“Unë pres një rezultat që do të befasojë krejt Kosovën. Për këtë jam i bindur, pasi kam qenë edhe pjesë e punës katërvjeçare, mirëpo edhe të ndërtimit të këtij koncepti që ka ndodhur në Aleancë…Ka pakënaqësi të mëdha për këto katër vite. Në teren ka që jam se 1 muaj, ka pakënaqësi pasi qytetari është më i varfër, pasigurt dhe ekonomia është më e dobësuar. Shpresa që është rritur me opsionin krejt dhe drejt ka mbetur vetëm për anëtarët e LVV-së, jo për qytetarët e Kosovës….Unë pres që partitë opozitare të fitojnë garën elektorale. Pres një proces negociatorë jo të lehtë për me bërë qeverinë. Kjo do të shihet. Nuk ka me qenë lehtë pas 9 shkurtit për me formu qeverinë…Lëvizja Vetëvendosje nuk i fiton zgjedhjet. Duke mos i fituar zgjedhjet këta nuk do të munden të formojnë qeverinë”, përfundon ai.