Tahiri: Çmimet në Kosovë çdo ditë më shtrenjtë, vetëm pagat kanë mbetur të lira
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve esenciale, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe dëshmi të një menaxhimi të dobët qeveritar. Tahiri ka theksuar se çmimet e produkteve bazike, përfshirë qumështin, produktet e qumështit, frutat dhe artikuj të tjerë ushqimorë,…
Lajme
Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka reaguar ashpër ndaj rritjes së vazhdueshme të çmimeve të produkteve esenciale, duke e cilësuar situatën si të papranueshme dhe dëshmi të një menaxhimi të dobët qeveritar.
Tahiri ka theksuar se çmimet e produkteve bazike, përfshirë qumështin, produktet e qumështit, frutat dhe artikuj të tjerë ushqimorë, janë rritur në mënyrë drastike dhe shpesh janë më të larta sesa në vendet më të zhvilluara të Evropës, si Zvicra, Gjermania, Italia apo Franca.
“Çfarë është tu ndodh kështu? Çdo ditë po shtrenjtohen çmimet, janë shku në hava. Si është e mundur që produktet elementare në Kosovë të kushtojnë më shumë se në vendet me standard shumë më të lartë?”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka theksuar se ndërkohë që qytetarët përballen me rritje të pandalshme të kostos së jetesës, pagat vazhdojnë të mbeten të ulëta dhe të papërditësuara.
“Në Kosovë, me këtë qeveri, duket se të vetmet gjëra të lira kanë mbetur pagat. Pesë vjet me radhë – vetëm fjalë, përralla e premtime, pa asnjë rezultat konkret për ekonominë e qytetarëve”, ka shtuar ai.