Tahiri: Albin Kurti filloi kapjen e shtetit me kapjen e sindikatave

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka ironizuar me drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin, njëherit kandidatin për të drejtuar qeverinë e re pas zgjedhjeve të 6 Tetorit, pas takimit që ky i fundit kishte dje me përfaqësues të sindikatave të Kosovës.

Lajme

22/11/2019 14:05

Tahiri thotë se takimi i Kurti me sindikalistët ka ardhur si përpjeke për të blerë paqe, duke qenë i vetëdijshëm se tashmë Kurti ka detyrë dhe përgjegjësi të re për të drejtuar institucionet e vendit. Duke e quajtur si përpjekje për të neutralizuar sindikalizmin, Tahiri ka ironizuar me ligjërimin e zotit Kurti mbi nevojën e organizimit sindikal dhe rritjes së fuqisë së sindikatave, siç kanë raportuar mediat për takimin e djeshëm, transmeton lajmi.net.

Sipas Tahiri, hapi i parë i Albin Kurtit si kryeministër në ardhje, ishte kapja e shtetit përmes “kapjes së sindikatave”.

Ky është postimi i plotë i Abelard Tahirit:

“Albin Kurti, ende pa marrë mandatin për të drejtuar ekzekutivin, dje organizoi një takim me sindikatat e vendit për t’i mësuar se si duhet të sillen dhe sa të forta duhet të jenë në mbrojtje të të drejtave të tyre. Që nga themelimi i saj, Vetëvendosje dhe Albin Kurti kanë pretenduar se përfaqësojnë masën kolektive të asaj çfarë është një shoqëri solide. Por tashmë kur pritet ta themelojë qeverinë që do ta drejtojë vetë, z. Kurti u kujdes që në vigjilje të hapave të tij si kryeministër i ardhshëm, të marrë masa për të neutralizuar instrumentin më të fuqishëm të përfaqësimit të nevojave kolektive të punëtorëve, sindikalizmin. Nuk ishte aty për zgjidhje, sepse zgjidhjet nuk i ka. Por ishte aty për të filluar kapjen e shtetit përmes “kapjes së sindikatave”. Ai ishte aty për të blerë paqe, pasi që nuk mund të jetë edhe ideologu i kolektivizmit edhe administratori që duhet ta konfrontojë atë. Ai tashmë e di se koha e liturgjisë ka marrë fund dhe koha e përgjegjësisë për të është e kudo ndodhshme. Por ai megjithatë nuk duhet të harrojë se sindikatat nuk janë mjete në duar të pushtetit, veçse kundërvënëse ndaj tij për të drejtat e tyre legjitime. /Lajmi.net/