Tadiq ia kujton Vuçiqit deklaratën e para 20 vitesh: T’i vrasim boshnjakët (Video)

23:44 | 10 Korrik 2015

Vuciq per Srebrenicen

Vendimin e kryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq që të merr pjesë në komemoracionin kushtuar viktimave të gjenocidit në Srebrenicë e ka vlerësuar të mirë ish presidenti serb, Boris Tadiq, që ishte i pari që para 10 vitesh u kërkoi falje boshnjakëve.

Megjithatë, Tadiq ka thënë se Vuçiq, boshnjakëve duhet t’iu kërkojë falje në emrin e tij për atë që ka thënë në të kaluarën, transmeton Indeksonline.

“Kjo do të kontribuonte në besim që gjërat po ndryshojnë te kryeministri dhe të njerëzit që sot janë në pushtet”, ka thënë Tadiq në Beograd, në tribunën kushtuar 20 vjetorit të masakrës së Srebrenicës.

E Tadiqi këtë e ka thënë për një deklaratë që Vuçiqi e kishte dhënë në vitin 1995, në kulmin e luftës në Bosnjë.

Vuçiq, kur ka qenë numri tre i Partisë Radikale Serbe, nën drejtimin e Vojislav Sheshelit ka dhënë edhe deklarata shovinste kundër myslimanëve.

Ai në vitin 1995 derisa fliste në Kuvendin e atëhershëm e Republikës së Serbisë që ishte në kuadër të ish Jugosllavisë, kërkoi vrasjen masive të boshnjakëve.

Vuçiq me thirrjet që mos preket asnjë serb, iu thoshte ndërkombëtarëve se “serbët nuk duhen bombarduar”, edhe pse serbët kryenin masakra në Bosnje.

“Ju bombardoni, dhe e vrisni një serb, ne do t’i vrasim 100 myslimanë dhe të shohim se a do të guxojë bashkësia ndërkombëtare apo kushdo tjetër t’i godasë pozicionet serbe dhe të sillet ashtu me popullin serb”, kishte thënë Vuçiq.