Ta përmbyllim reformën zgjedhore

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se sot do të mbahet takimi i përbashkët me liderët politikë të Kosovës për çështjen e hapur të reformës zgjedhore dhe për zgjedhjet e ardhshme kombëtare, të parapara për vitin 2014.

Lajme

16/12/2013 11:12

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka bërë thirrje për vullnet të mirë të të gjitha subjekteve politike për ta përmbyllur reformën zgjedhore.

Në llogarinë e tij në Facebook, Kryeministri njoftoi se sot do të mbahet takimi i radhës i liderëve politikë për çështjen e reformës zgjedhore.

“Sot kemi takim të përbashkët me liderët politikë të Kosovës për çështjen e hapur të reformës zgjedhore për zgjedhjet e ardhshme kombëtare më 2014”.

“Në çdo cikël zgjedhor qytetarët e Kosovës e kanë dhënë testin e pjekurisë institucionale, si në pjesëmarrje, ashtu edhe në kulturën e shfaqur demokratike”.

“Është koha e fundit që edhe ne, si liderë dhe institucione, t’ua kthejmë këtë nder”.

“Reforma nuk është vetëm në interes timin apo të partisë sime, prandaj ftoj për vullnet të mirë ta përmbyllim këtë kapitull të rëndësishëm të zhvillimit tonë politik”.

“Institucionet e pavarura si KQZ kanë nevojë për kohë të nevojshme të përgatisin zgjedhjet në vitin që po vjen”, ka shkruar Kryeministri Thaçi.

Deri tash reforma zgjedhore ka mbetur peng i mospajtimeve politike dhe si rrjedhojë zgjedhjet lokale janë mbajtur sipas Ligjit të vjetër për Zgjedhjet.

Por, pas përfundimit me sukses të zgjedhjeve lokale, bashkësia ndërkombëtare ka rritur presionin mbi partitë politike për ta përfunduar reformën zgjedhure, duke kërkuar me ngulm që të mos shkohet në asnjë mënyrë në zgjedhjet e reja nacionale, të parapara për vitin që vjen, me Ligjin e vjetër për Zgjedhjet.

Një javë më parë Ambasadorja Amerikane mblodhi në rezidencën e saj liderët politikë, me të cilët diskutoi mënyrën se si do të bëhet reforma zgjedhore dhe afatet e përfundimit të saj dhe mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme.