Szczesny vuan largimin e Allegrit: Ishte perfekt për Juventusin

19:36 | 20 Maj 2019

Portieri i Juventus duket se po e vuan largimin e Massimiliano Allegrit nga skuadra.

Ish anëtari i Arsenal, Wojciech Szczesny, ka thurur lëvdata të shumta për trajnerin italian, duke thënë se ishte më i përshtatshmi për ‘Zonjën e vjetër’.

Trajneri 51 vjeçar do të largohet nga Juventus pas pesë viteve të kaluara me ‘Biankonerët’, por do të ketë edhe një ndeshje të fundit, kundër Sampdorias.

Allegri ka humbur vetëm tri ndeshje në këtë sezon në Serie A, por dështimi në Ligën e Kampionëve duket të ketë qenë goditja nokautuese për italianin.

I lumtur për largimin e tij nuk është Szczesny i cili ka bërë 46 paraqitje këtë sezon nën urdhrat e Maxit.

“Në këto pesë vite, ai ka qenë më i përshtatshmi për Juventus” ka thënë fillimisht Szczesny.

“Ai di se si ta menaxhojë grupin në mënyrë perfekte, me shumë eksperiencë, kështu që ai kurrë nuk do ta humbte ‘Scudetton’” ka thënë portieri polak, transmeton lajmi.net.

“Urimet e mia për të, ne e duam atë dhe i urojmë gjitha të mirat për të ardhmen” ishin fjalët e Wojciech.

Massimiliano Allegri akoma nuk ka gjetur skuadrën e ardhshme, por disa zëra e qojnë atë në Bundesliga, tek Bayern Munich. /Lajmi.net/