Synon votat për ndryshim

Shpend Ahmeti thotë se rezultati i raundit të parë nuk e ka befasuar, por e obligon të punojë edhe më shumë drejt fitores. Sipas tij, Prishtina nuk do të duhej t’i kishte problemet me të cilat po përballet tani.

Lajme

13/11/2013 13:32

Kandidati për Kryetar të Prishtinës nga Vetëvendosje, Shpend Ahmeti, në një intervistë për Deutche Welle ka thënë se ajo çfarë po ndodhë në Prishtinë është diçka e jashtëzakonshme që s’ka ndodhur kurrë më parë.

Ai ka treguar se partia e tij tani për tani nuk është e interesuar për koalicion, ndonëse do të pranonte ekspertë nga subjekte tjera politike në ekipin e tij.

“Qytetarët janë bashkuar rreth një koncepti që i kalon vijat politike. Kjo është edhe votë ndëshkimi ndaj pushtetit aktual, por mendoj se ky është përfundimisht një sinjal i kthimit se gjërat mund të ndryshojnë”.

“Ne synojmë votuesin e subjekteve të tjera që kanë votuar për ndryshim. Ne tani për tani nuk po kërkojmë koalicione, por kemi thënë se nuk jemi të mbyllur për ekspertizën e subjekteve të tjera politike. Unë nuk e kam fare problem që në ekipin tonë të kemi ekspertë që u takojnë subjekteve të tjera, por që duan të punojnë për të mirën e Prishtinës”.

Ahmeti ka kritikuar pushtetin qendror dhe atë lokal të Prishtinës për problemet që vazhdon t’i ketë vendi. Problemet që parashtron ai, nuk do të duhej të ekzistonin 5 vite pas pavarësisë.

“Po ne në vitin 2013, në shekullin 21, kemi probleme me ujin dhe kanalizimin, me rrymën, me mungesën e çerdheve dhe cilësinë në programin primar dhe sekondar… kemi problemet shumë të mëdha me trafik dhe i kemi 35.000 njerëz në asistencë sociale. Këto janë probleme që nuk do të duhej t’i kishim 14 vite pas luftës, pesë vite pas shpalljes së pavarësisë”.

“Ne kemi programe për zgjidhjen e secilit problem, por kjo nuk do të thotë se e kemi në dorë shkopin magjik dhe se mund t’i zgjidhim të gjitha problemet brenda natës”.

Ai ka thënë se nëse partia e tij vije në pushtet, do të ketë komunikim transparent me qeverinë për të mirën e qytetarëve. Rezultati i Vetëvendosjes duhet të matet në zgjedhjet nacionale.

“Komunikimi me qeverinë do të jetë transparent dhe me synim përmirësimin e kushteve për të gjithë qytetarët e Prishtinës. Ne nuk do të kemi takime dhe diskutime të fshehta, siç ndodhë tani”.

“Nuk është ndonjë rezultat i kënaqshëm por, suksesi i Vetëvendosjes duhet të matet në zgjedhjet nacionale, sepse zgjedhjet lokale dhe nacionale janë dy gjëra krejt të ndryshme” ka thënë Shpend Ahmeti për Deutche Welle.