Synim anëtarësimi i plotë europian

Ministri Hoxhaj thotë se Kosova synon anëtarësimin e plotë europian. Ndërsa Pascal Gregorie përgëzoi Hoxhajn për hapjen e negociatave për MSA.

Lajme

07/11/2013 14:44

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj ka pritur në takim shefin e Misionit në Zyrën Ndërlidhëse të Belgjikës në Prishtinë, Pascal H. Gregoire.

Ministri Hoxhaj foli për progresin në Kosovë, forcimin e  vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar, si dhe avancimin e fuqishëm të agjendës euro-integruese.

Në një komunikatë të lëshuar për media nga Ministria e Punëve të Jashtme thuhet se Hoxhaj veçoi hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit si një të arritur shumë të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt integrimit në BE, duke theksuar angazhimin e fuqishëm të Qeverisë për përmbushjen e agjendës integruese evropiane.

Në këtë kontekst, ministri i Jashtëm i Kosovës po ashtu theksoi se Qeveria përmes përmbushjes së shpejtë të të gjitha kritereve të nevojshme, synon avancimin e shpejtë në proceset integruese, arritjen e liberalizimit të vizave si dhe anëtarësimin e plotë në familjen e madhe evropiane.

Shefi i Misionit në Zyrën Ndërlidhëse të Belgjikës në Prishtinë, Pascal H. Gregoire, përgëzoi ministrin Hoxhaj për hapjen e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, si dhe për progresin që po arrihet në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtutjeshme të Belgjikës.

Hoxhaj dhe Gregoire kanë biseduar edhe për thellimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe shkëmbimeve ndërmjet dy vendeve.

Hoxhaj kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Belgjikës posaçërisht në proceset integruese evropiane të Kosovës.

Gjatë takimit, Hoxhaj dhe Gregoire kanë biseduar edhe për zgjedhjet lokale të 3 nëntorit, si dhe për procesin e implementimit të marrëveshjes me Serbinë.

Ministri Enver Hoxhaj po ashtu ka shprehur mirënjohjen e popullit dhe Qeverisë së Kosovës për përkrahjen që Belgjika po jep për Kosovën.