Sylvinho e kërkon në Kombëtare, FSHF-ja e kontakton titullarin e Mainzit

Kombëtarja shqiptare po bëhet gati pasi muajin e ardhshëm do të nisë fushatën kualifikuese të Botërorit 2026, teksa shorti i ka vendosur në një grup me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën. “Panorama Sport” mëson se një prej hyrjeve të reja në listën e Sylvinhos mund të jetë edhe Antoni Caci. Burime të gazetës thonë se…

Sport

12/02/2025 11:37

Kombëtarja shqiptare po bëhet gati pasi muajin e ardhshëm do të nisë fushatën kualifikuese të Botërorit 2026, teksa shorti i ka vendosur në një grup me Anglinë, Serbinë, Letoninë dhe Andorrën.

“Panorama Sport” mëson se një prej hyrjeve të reja në listën e Sylvinhos mund të jetë edhe Antoni Caci.

Burime të gazetës thonë se kanë qenë drejtues të Federatës Shqiptare të Futbollit që kanë kontaktuar me lojtarin me origjinë nga Shqipëria, por që ka lindur në Francë.

CACI – Në vargun e kërkimeve të lojtarëve me origjinë shqiptare, por të lindur jashtë, siç ishte rasti i Balliut, Antoni Caci është rasti i fundit pasi është kontaktuar nga FSHF për tu bërë pjesë e skuadrës kuqezi në të ardhmen.

Nuk dihet se çfarë përgjigje ka dhënë mesfushori me tipare mbrojtëse dhe nëse do të ketë një takim në avancë.

Caci është 27 vjeç dhe ka lindur në Francë, teksa ka dalluar tek akademia e Strasburgut derisa kaloi në ekipin e parë.

Pasi luajti disa vite të mira, ai u transferua në verën e vitit 2022 te Mainz ku luan aktualisht.

Këtë sezon, Caci ka pasur një rendiment të lartë, ku përveç një ndeshjeje për shkak pezullimi kartonësh, i ka luajtur të gjitha takimet në Bundesligë, madje ka arritur të shënojë një gol dhe të japë katër asiste për shokët e skuadrës.

Një mesfushor i cili luan nga e djathta, por me tipare mbrojtëse, mund të jetë një përforcim për skuadrën e Sylvinhos, pavarësisht se ky i fundit nuk ka folur me të personalisht, por është i hapur për këdo lojtar cilësor që ka dëshirë të japë kontributin e tij për Kombëtaren.

Antoni Caci ka luajtur sezonin e kaluar me Brajan Grudën në një skuadër, ndërsa Gruda u transferua te Brightoni në Premierligë.

Sakaq, te Mainz luan gjithashtu një tjetër lojtar me origjinë shqiptare nga ana e mamasë së tij, Nelson Viper, i cili është sulmues dhe përfaqëson moshat e Gjermanisë.