Syla: Vendimi për pezullimin e Ligjit për Paga shkel të drejtat e punëtorëve

Kryetari i Federatës së Sindikatave në Shëndetësi, Blerim Syla, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e Ligjit për Paga, shkel të drejtat e punëtorëve në përgjithësi.

Lajme

13/12/2019 19:26

Në emisionin Info Magazine,  Syla ka komentuar edhe grevën e mbajtur sot nga punonjësit e Shëndetësisë, i cili ka thënë se të do të mbahet një takim ku do të vendoset për vendimet e tjera.

“Vendimit për pezullimin e Ligjit për Paga i është gëzuar presidenti, kryeministri dhe ministrat – ata janë gëzuar sepse vazhdojnë t’i marrin pagat e tyre të majme dhe ky pezullim i ligjit ka mundësuar që ai avaz të vazhdojë”.

“Mirëpo nuk ka nevojë të gëzohet askush prej punëtorëve sepse jam i bindur se nuk do të kenë sukses që t’i përmirësojnë ato. Gjykata Kushtetuese nuk e ka atë kompetencë që ta rregullojë koeficientin”.

“Me këtë vendim po atakohen rreth 60 mijë punëtorë. Këta janë atakuar dhe këta nuk do t’i marrin pagat me rritje”.

“Sot është mbajtur greva dhe kjo grevë ka qenë paralajmëruese ta quajmë – që ndoshta të bëjmë një lloj presioni ndaj Kushtetueses dhe ka përfunduar në ora 15:00”.

“Nuk ka pasur incidente dhe ka pasur kërkesa jashtëzakonisht minimale. Të hënën do të merren vendimet tjera ku do të vendosin vet punëtorët e Shëndetësisë. Ata duhet të mblidhen dhe këshilli do ta marrë vendimin se si do të vazhdohet tutje”.

“Dy vjet kemi negociuar që ta japim kontributin si sindikata – kemi kërkuar takim me krerët politikë dhe ata nuk kanë pranuar, vetëm Albin Kurti na ka pranuar. Kur të shteren të gjitha këto mundësi, greva mbetet alternativë”.