Sveçla: Mirëpres sanksionet e SHBA-ve, mbesim të pakompromis në luftimin e krimit

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka reaguar pasi SHBA sanksinoi krerët dhe anëtarët e bandave kriminale të veriut.

Lajme

08/12/2021 22:45

Sveçla ka përmendur aksionin e fundit të Policisë në veri ku u lënduan disa policë, shkruan lajmi.net.

Ai ka thënë se mirëpret vendimin e SHBA-ve dhe se Kosova sipas tij mbetet e pakompromis në luftimin e krimit, korrupsionit dhe kontrabandës.

Postimi i plotë i Sveçlës:

Nga aksioni i fundit i Policisë së Kosovës në 4 rajone të Kosovës me qëllim të goditjes së kontrabandës, në veri të Kosovës kishte rezistencë ndaj këtij aksioni me ç’rast mbetën të lënduar disa zyrtar policor e dëme të mëdha materiale.

Sot u legjitimua lufta jonë ndaj grupeve kriminale e krimit të organizuar, specifikisht në veri, ku struktura të caktuara kanë rezistuar saherë kanë qenë cak i shkatërrimit.

Mirëpres sanksionin e ShBA-ve ndaj grupit kriminal me fushëveprim në Serbi dhe në Kosovë dhe ritheksoj se mbesim të pakompromis në luftimin e krimit, kontrabandës e korrupsionit që cënojnë rendin dhe sigurinë kudo në Kosovë. /Lajmi.net/