Sveçla: Kufiri me Shqipërinë kurrë nuk ka qenë i mbyllur gjatë Qeverisë ‘Kurti’
Xhelal Sveçla ka deklaruar se gjatë Qeverisë “Kurti”, kufiri me Shqipërinë nuk ka qenë i mbyllur, por që ka pasur kufizime në qarkullim.

Lajme
Ish-udhëheqësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike (MPBAP), Xhelal Zveçla, ka thënë se gjatë kohës së pandemisë, në asnjë moment nuk ka qenë i mbyllur kufiri me Shqipërinë, shkruan lajmi.net.
Sipas tij, kufiri ka qenë i hapur tërë kohën, por që për shkak të pandemisë me COVID-19, ka pasur kufizime në qarkullim.
“Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë qeverisë Kurti. Në çdo pikë kufitare me të gjitha vendet kanë qenë të njëjtat kufizime në qarkullim, për shkak të pandemisë, por kurrë jo i mbyllur. Masat janë të publikuara në faqet zyrtare të qeverisë dhe ministrive, e lehtë mund të shohin të gjithë se kurrë kufiri me Serbinë, gjatë qeverisë Kurti nuk ka qenë më i hapur se me atë të Shqipërisë. Përkundrazi”, ka shkruar ndër të tjerash Sveçla.
Postimi i plotë i Sveçlës, pa ndërhyrje:
Diktatorët, nga Hitleri te Stalini, kanë pasur një parim kryesor në propagandën e tyre: “Akuzoji kundërshtarët e tu për atë çka ti vetë bën”.
Kështu edhe zëdhënësit e qeverisë Koti të subjekteve humbëse, paskan sulmuar qeverinë Kurti, se kinse kufiri me Shqipërinë paska qenë i mbyllur e ai me Serbinë i hapur. Kush e bën këtë akuzë? Qeveria e cila sapo u përshëndet nga Vuçiqi për veprimin e rrallë në botë, ku hoqën dorë vetë nga reciprociteti, dhe lejuan që Serbia të hyjë në Kosovë me dokumentat “Kosovo i Metohija”.
Sado që propaganda synon të luajë me emocionet, ky është sulm “i budallëm”. S’e ha kush.
Në asnjë moment kufiri i Shqipërisë nuk ka qenë i mbyllur gjatë qeverisë Kurti. Në çdo pikë kufirare me të gjitha vendet kanë qenë të njëjtat kufizime në qarkullim, për shkak të pandemisë, por kurrë jo i mbyllur. Masat janë të publikuara në faqet zyrtare të qeverisë dhe ministrive, e lehtë mund të shohin të gjithë se kurrë kufiri me Serbinë, gjatë qeverisë Kurti nuk ka qenë më i hapur se me ate të Shqipërisë. Përkundrazi.
Pikërisht gjatë qeverisjes sonë u arrit që secili automjet e kamion që vinte nga Serbia të kishte dokumentacionin me emërtimin zyrtar “Republika e Kosovës”, gjë që e ka mëzitur shumë Vuçiqin prandaj i angazhoi shërbëtorët për ta rikthyer situatën aty ku ishte para qeverisë Kurti.
Unë e kuptoj sikletin e partive humbëse, të cilat duan me çdo kusht ta sulmojnë LVV që është Qeveria Alternative e vetme që ka pasur Kosova, mirëpo besoj se një minimum etike duhet të ketë.
Apo po kërkoj shumë?. /Lajmi.net/