Suspendohet Xabi Alonso, mungon në Superkupën e Evropës

Xabi Alonso është suspenduar me një ndeshje nga UEFA, që nënkupton se do të mungojë në ndeshjen e Superkupës së Evropë, që do të zhvillohet më 12 gusht.

Sport

18/07/2014 10:23

Real Madrid nuk do të mund të llogarisë në shërbimet e Xabi Alonsos në Superkupën e Evropës ndaj Sevillas, e cila do të zhvillohet më 12 gusht në Cardiff për shkak të suspendimit.

Përfaqësuesi spanjoll është dënuar me një ndeshje moslojë nga komiteti disiplinor i UEFA-s për shkak se u fut në fushë gjatë fitores 4:1 të Los Blancos ndaj Atletico Madridit në finale të Ligës së Kampionëve.

Alonso ishte detyruar ta shikonte ndeshjen ndaj Los Colchoneros nga tribuna për shkak të suspendimit, pasi e kishte marrë kartonin e verdhë ndaj Bayern Munichut në gjysmëfinale.

Ai vrapoi drejt fushës, pasi Gareth Bale e shënoi golin për 2:1 në vazhdime dhe tash do të mungojë sërish.

Gjithashtu, edhe trajneri i Atletico Madridit, Diego Simeone gjithashtu është dënuar me një ndeshje moslojë, pasi ishte ndëshkuar me karton të kuq nga gjyqtari Bjorn Kuipers në fund të ndeshjes.