Suspendohet Ramires

Mesfushori i Chelseas, Ramires ka përfunduar sezonin në Premierligë, pasi është suspenduar me katër ndeshje moslojë pas incidentit me mesfushorin e Sunderlandit, Sebastian Larsson.

Sport

24/04/2014 21:41

Mesfushori i Chelseas, Ramires do të mungojë në pjesën e mbetur të sezonit në Premierligë pasi ka pranuar akuzën për sjellje të dhunshme.

Braziliani u sanksionua për incidentin me Sebastian Larsson në humbjen e skuadrës së tij me rezultat 2:1 nga Sunderland të shtunën. 27-vjeçari do të shërbejë dënimin prej katër ndeshjesh moslojë.

Menaxheri Jose Mourinho dhe asistenti Rui Faria po ashtu janë akuzuar nga Federata e Futbollit të Anglisë. Ramires e qëlloi me bërryl Larssonin në përfundim të pjesës së parë në Stamford Bridge.

Incidenti u vlerësua nga një panel i ish gjyqtarëve dhe Ramires do të mungojë në ndeshjet e mbetura të Chelseas në Premierligë, kundër Liverpoolit, Norëichit dhe Cardiffit, si dhe takimin e parë të edicionit të ardhshëm.

Por, ai ka të drejtë të luajë në ndeshjen e kthimit kundër Atletico Madridit në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve të mërkurën.