Surroi: Presidentja kushtetutën për herë të parë e ka lexuar këto ditë

Publicisti Veton Surroi, i cili ishte i pari që përmes një opinioni dha idenë e krijimit të një koalicioni opozitar kundër partisë fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit, tani “thumbon” presidenten Atifete Jahjaga, e cila i ka kërkuar sqarim Gjykatës Kushtetuese, se kush ka të drejtë ta bëjë qeverinë, grupimi opozitar, apo Hashim Thaçi, partia e të cilit doli më e votuara. 

Lajme

23/06/2014 00:07

Surroi, përmes një opinioni që botohet nesër në gazetën “Koha Ditore”, ku pretendon të analizojë situatën e krijuar pas zgjedhjeve të fundit parlamentare në vend dhe kërkesën që Jahjaga, ia ka dërguar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me mandatarin e qeverisë së ardhshme, thotë se kjo e fundit këtë “libër” e ka lexuar për herë të parë këto ditë. 

“Por, libër është, dhe si për shumëkënd, edhe për presidenten e vendit është libër, i cili e ka përjetuar leximin e parë këto ditë. Kështu pranon (tërthorazi, siç do të mund të thoshte ekipi i saj juridik) kur, në një letër adresuar Gjykatës Kushtetuese, për të vlerësuar përputhshmërinë e dy neneve të Librit (atë 84.14 dhe 95) shpjegon se “pasi që kjo është hera e parë që unë ushtroj autoritetin tim për të mandatuar një kandidat për kryeministër pas zgjedhjeve, nuk kam qenë në pozitë të vërej diskrepancën ndërmjet këtyre dy dispozitave kushtetuese deri më 8 qershor 2014””, shkruan Surroi. (lajmi.net)