Supremja ia rrëzon kërkesën Ratko Kragoviçit, mbetet në paraburgim nën dyshimet për krime lufte kundër civilëve në Kosovë
Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësja e të pandehurit Ratko Kragoviç, në rastin që lidhet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”. Sipas njoftimit, kërkesa ishte ushtruar kundër aktvendimeve të Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit e…
Lajme
Gjykata Supreme e Kosovës ka njoftuar se ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtësja e të pandehurit Ratko Kragoviç, në rastin që lidhet me veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile”.
Sipas njoftimit, kërkesa ishte ushtruar kundër aktvendimeve të Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata e Apelit e Kosovës, të cilat kishin caktuar dhe më pas vërtetuar masën e paraburgimit ndaj disa të pandehurve në këtë rast, shkruan lajmi.net.
Gjykata Themelore kishte caktuar paraburgim prej një muaji ndaj Goran Tomasheviç, Ratko Kragoviç, Sinisha Tomasheviç dhe Predrag Tomaseviç, ndërsa Nebojsha Tomasheviç ishte liruar të mbrohet në liri.
Mbrojtja e Ratko Kragoviçit kishte pretenduar se nuk ekzistojnë prova të mjaftueshme për dyshimin e bazuar dhe se paraburgimi ishte caktuar në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale.
Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se nga provat e administruara deri në këtë fazë ekziston dyshimi i bazuar për kryerjen e veprës penale dhe se janë plotësuar kushtet ligjore për paraburgim, për shkak të rrezikut të arratisjes, pengimit të procedurës dhe ndikimit në dëshmitarë apo bashkë të pandehur. /Lajmi.net/
Personat e përmendur prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të provohet me vendim të formës së prerë.