Super Muriqi lavdërohet edhe nga mediat serbe: Ky është Zot i futbollit në Prishtinë

Mediat serbe lavdërojnë paraqitjet e Vedat Muriqit për Përfaqësuesen e Kosovës.

Sport

15/10/2019 11:19

Paraqitjet fantastike të Vedat Muriqit me skuadrën e Kosovës kanë zgjuar lëvdata edhe nga një adresë ku më së paku pritej, në Serbi.

Ndeshja mes Kosovës dhe Malit të Zi (2:0) ka qenë mundësi e shkëlqyeshme që tifozët në Prishtinë edhe një herë të tregojnë se kush është futbollisti më i dashur i tyre.

Vedat Muriqi është zot i futbollit në Prishtinë, e këtë e dëshmoi edhe koreografia speciale, shkruan portali serb “Blic”, transmeton lajmi.net.

Ylli i Fenerbahces është idhull i shumë banorëve të Kosovës dhe nuk është për t’u befasuar mbështetja e shfaqur ndaj tij në stadiumin “Fadil Vokrri”, shton “Blic”.

Portali serb në titullin e artikullit për Muriqin ka shkruar: “Ky person është Zot i futbollit në Prishtinë. Anglezët e mbajnë mend mirë, stadiumi i është përkulur, kurse lëvdatat nuk ndalen”.

Muriqi ishte një prej golashënuesve në fitoren ndaj Malit të Zi që mban gjallë shpresat e Kosovës për kualifikim në Euro 2020. /Lajmi.net/