Sulmohet një prokuror në Ferizaj

Prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Valdet Avdiu, është sulmuar.

Lajme

03/04/2019 14:00

Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se është kërcënuar dhe sulmuar prokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt, Valdet Avdiu, shkruan lajmi.net.

Sipas njoftimit, prokurori Avdiu është sulmuar pas një seance gjyqësore në objektin e Gjykatës Themelore të Ferizajt e që sipas  njoftimit, ky sulm ndërlidhet me punën e prokurorit Avdiu.

Më poshtë ju sjellim njoftimin e plotë pa ndërhyrje:

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH) janë të shqetësuar me aktin e ofendimit, kërcënimit dhe sulmit ndaj prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Valdet Avdiu, që ka ndodhur pas seancës gjyqësore në objektin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, e që ndërlidhet me punën e tij zyrtare.

Për KPK-në dhe ZKPSH-në, aktet e tilla ndaj prokurorëve, janë të pa tolerueshme dhe se të njëjtat merren shumë seriozisht. KPK dhe ZKPSH qëndrojnë fuqishëm pranë prokurorëve, i mbështesin ata në punën e tyre të përditshme dhe i inkurajojnë në përmbushjen e misionit të tyre.

Andaj, të gjithë ata që mendojnë se me akte të tilla do të tentojnë të ndikojnë që prokurorët e shtetit të zmbrapsen nga ndjekja e kryeseve të veprave penale e kanë gabim, sepse prokurorët do të vazhdojnë punën e tyre për të cilën janë betuar dhe për të cilën i obligon Kushtetuta dhe ligjet e Republikës së Kosovës.

KPK dhe ZKPSH sigurojnë publikun se kjo çështje është duke u trajtuar seriozisht dhe me nivelin e duhur të urgjencës të cilën e meriton kjo situatë.​ /Lajmi.net/