Sulmohet një imam pejan vetëm pse nuk përkrah rrymat radikale

Një person ka tentuar që ta shtypë me veturë imamin nga Peja, Zuhdi Hajzeri, i cili është i njohur si kundërshtar i rrymave radikale islame në Kosovë.

Lajme

01/09/2014 20:42

Imami Hajzeri i deklaroi KTV-së se është kërcënuar vazhdimisht nga disa persona në rrjete sociale dhe pohon se njëri prej tyre ka tentuar që ta shtypë me veturë.

“Kërcënimi ka qenë, do të thotë jam përcjellë prej xhamisë time deri afër shtëpisë dhe ka tentuar që të më shkelë me veturë. Ky rast nuk është i vetmi, deri më tash ka pasur 5-6 raste ose më shumë që jam kërcënuar me rrahje dhe presione të ndryshme. Më është bërë presion edhe pse i bëj like disa gjërave në Facebook dhe është interesant sepse ato faqe nuk e përkrahin vehabizmin dhe më është bërë presion që as like të mos i bëj”, ka thënë imami Hajzeri.

Ai ka thënë se sulmuesi i tij është punonjës i Bashkësisë Islame në Pejë dhe në një kompani private në këtë qytet. Madje, ai shpreh habinë se si dega e BIK-ut në Pejë nuk ka reaguar për këtë rast, pasi përveç se në organet e rendit, ai këtë rast e ka paraqitur edhe në Kryesinë e BIK.

“Personi që më ka kërcënuar është në një pozitë shumë më të ulët në aspektin e organizimit të BIK-ut dhe as nuk jemi ballafaquar dhe as nuk është thirrur personi në fjalë dhe asnjë veprim i vetëm dhe asnjë reagim nuk është bërë nga kreu i BIK-ut në Pejë”.

Rasti është konfirmuar dhe nga Policia rajonale e Pejës, ku është thënë se ndaj personit të pretenduar si sulmues është ngritur kallëzim penal dhe se tashmë rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.

Personi i cili ka tentuar që ta shtypë imamin Hajzeri njëherësh është edhe djali i dajës së kryeimamit të Pejës, Enes Goga, por ky i fundit për KTV ka thënë se secili mban përgjegjësi për veprimet e veta.