Sulmohet me 6 plumba vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi

Gazetari Shkumbin Kajtazi është sulmuar nga persona të panjohur, vetura e tij është goditur me rreth gjashtë plumba.

Lajme

18/10/2020 11:47

Persona të pa njohur i kanë sulmuar me plumba veturën e gazetarit, Shkumbin Kajtazi.

Këtë e ka bërë të ditur vetë Kajtazi përmes një postimi në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, shkruan lajmi.net.

Kajtazi ka publikuar edhe fotografi ku shihet se vetura e tij është sulmuar me plumba dhe ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës në qytetin e Mitrovicës.

Ai ka thënë se ka dëgjuar të shtëna me armë zjarri, por që nuk e kishte menduar se ai mund të jetë cak i sulmit.

Kajtazi ka bërë të ditur se e ka lajmëruar rastin në polici.

Postimi i plotë i Kajtazit, pa ndërhyrje:

Miq,

Mbrëmë u përballa me një sulm të rrezikshëm: vetura ime u qëllua me 5 ose 6 plumba.

Ngjarja ka ndodhur rreth mesnatës, kur vetura ishte e parkuar në qendër të Mitrovicës.

Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim.

Kur u afrova tek vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejten gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme.

Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme.

Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi.

Nuk ndihem i frikësuar, që është qëllim i personave që më vihen pas. Jam thjesht i dëshpëruar me shtetin tim dhe njerëzit e tij. /Lajmi.net/