Sulmi terrorist në Dokufest nuk ishte i planifikuar

Asnjëri prej të arrestuarve për terrorizëm nuk dyshohet për planifikim sulmesh në Kosovë, por vetëm për pjesëmarrje në grup terrorist në Siri e Irak, mëson Koha Ditore.

Lajme

14/08/2014 00:46

Lajmi se të dyshuarit planifikonin sulm në njërën prej ngjarjeve më të mëdha kulturore në vend, “Dokufest”, është i pavërtetë, kanë thënë për gazetën zyrtarët policorë.

Madje as në kërkesën e prokurorit për paraburgim dhe në urdhërarrestet që ka siguruar Koha Ditore nuk ka dyshim për planifikim sulmesh në Kosovë.

Mediat kanë raportuar se njëri prej të arrestuarve dyshohet se kishte në plan të kryente një sulm në Dokufest, teksa thirreshin në burime anonime. I njëjti person, thoshte ky burim, ka pasur për qëllim të dërgojë mesazh se Prizreni është qytet mysliman, si kundërpërgjigje e donacioneve amerikane për festivalin.