Sulmi në Holandë, mes viktimave dhe një i afërm i autorit

37-vjeçari turk që kreu sulmin terrorist në Holandë përshkruhet si një njeri i paqëndrueshëm dhe me probleme mendore. Mediat bëjnë të ditur se ai kishte dalë nga burgu vetëm pak kohë më parë.

Bota

19/03/2019 19:35

Një nga viktimat e të shtënave me armë në një tramvaj në Utrekt në Holandë, ishte një i afërm i autorit të sulmit Gokmen Tanis. Lajmi raportohet nga agjencia turke e lajmeve Anadoll, duke saktësuar se 37 vjeçari ka qëlluar dhe mbi persona që donin të shpëtonin pasagjerët e tjerë.

Viktimat e tjera janë një 19 -vjeçar dhe trajneri i një skuadre futbolli. Autoritetet kanë marrë në pyetje dy persona që kishin lidhje me autorin e sulmit.

Ndërkohë në automjetin që ai përdori për tu arratisur është gjetur një letër ku shkruhej “Allah”. Babai i tij Mehmet Tanis, deklaroi se nëse djali I tij kishte bërë atë që thuhet atëherë duhet ndëshkuar. Ai shtoi për gazetarët se nuk kishte më kontakte me djalin e tij që nga viti 2008 kur ishte rikthyer në Turqi pas divorcit me nënën e 37-vjeçarit.

Sipas mediave holandeze, 37 vjeçari kishte qenë në burg deri dy javë më parë, ndër akuzat që rëndonin mbi të ishin ajo e grabitjes dhe përdhunimit.

Viktima e dhunës së tij, një 47 vjeçare, tha për gazetarët se Tanis kishte qëndruar në burg për gjashtë javë pasi kishte shkelur rregullat e lirisë me kusht në pritje të gjyqit. Ai kishte dalë pak kohë para nga burgu me kërkesë të avokatit të tij.

Gruaja e përshkoi atë si një njeri të paqëndrueshëm dhe me shumë problem. Madje ajo shkon më tej duke thënë se ai është i çmendur dhe i varur nga droga. Sipas saj ai nuk është një  terrorist por një psikopat dhe për këtë gjë kishte vënë në dijeni dhe policinë. Dhe fqinjët e tij e cilësojnë si të paqëndrueshëm, ndërsa miqtë e tij tregojnë se situata degjeneroi pas divorcit me bashkëshorten dy vjet më parë.

Kohët e fundit ai jetonte duke ndjekur rregullat e Islamit, kishte rritur mjekrën dhe vishte rroba të gjata./abcnews.al