Sulmi në bazën ushtarake Fort Hood u krye nga një ushtar

SHBA-të janë tronditur nga një sulm që i është bërë qendrës ushtarake në Fort Hood. Sulmuesi raportohet të jetë i vdekur. Raportohet gjithashtu për lëndime. Burimet kanë nxjerrë edhe identitetin e sulmuesit. Obama është deklaruar në lidhje me rastin.

Bota

03/04/2014 00:35

E plotësuar, 2:59

NBC raporton nga burimet e veta se sulmi nuk është me motive të terrorizmit, por ka filluar si një konflikt i brendshëm midis ushtarëve.

Sulmuesi raportohet të jetë ushtar i thjeshtë dhe të ketë sulmuar pas një konflikti verbal. Informatat nuk janë zyrtare. Qëndroni me lajmi.net për çdo të re në lidhje me ngjarjen.

_________________________________

E plotësuar, 2:20

Obama: Ky rast i hapi plagët e shkaktuara 5 vite më parë

Presidenti i SHBA-ve është deklaruar në lidhje me ngjarjen e ndodhur në Fort Hood, në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë.

“Sigurisht, po e ndjekim nga afër situatën në bazën Fort Hood”.

“Jemi në kontakt të vazhdueshëm jo vetëm me Departamentin e Mbrojtjes, por edhe me FBI. Ata po punojnë intenzivisht që të kuptojnë se çfarë saktësisht ka ndodhur dhe po sigurohen se çdo kush është i sigurt. Dua të ju siguroj të gjithëve se do ta kuptojmë gjithë atë që ka ndodhur.”

“Çdo situatë e tillë është problematike. Padyshim që ky rast i hapi plagët e shkaktuara në Fort Hood 5 vite më parë. Ne i njohim këto familje dhe e dimë se çfarë sakrifice po bëjnë për këtë vend. Mendjet dhe lutjet tona janë me pjestarët e komunitetit të Fort Hood dhe ne do të sigurohemi se Fort Hood do të ketë gjithçka i duhet që të i bëjë ballë një situate të tillë.”

“Jemi zemërthyer për faktin se diçka e tillë ka mundur të ndodhte përsëri. Nuk dua të komentoj në fakte pëderisa nuk zbardhet e gjithë ngjarja. Por, në këto momende shpresoj shumë që çdo familje në vend i ka zemrat, mendjet dhe lutjet për pjestarët e komunitetit të Fort Hood.”

“Ata (banorët e Fort Hood) kanë sakrifikuar kaq shumë për lirinë tonë. Shumë nga ata njerëz kanë qenë disa herë në Afganistan e Irak. Ata kanë shërbyer me trimëri të madhe. Në bazën e tyre ata duhet të ndihen të sigurtë. Akoma nuk e dimë se çfarë po ka ndodhur sonte, por padyshim se kuptimi i sigurisë është humbur edhe një herë. Duhet të kuptojmë se çfarë saktësisht ka ndodhur”, ka deklaruar Obama.

_________________________________

E plotësuar, 2:09

Të shtëna armësh në një bazë ushtarake në SHBA, 4 të vdekur

Konfirmohet vdekja e sulmuesit. Sipas burimeve, emri i sulmuesit është Ivan Lopez, 34 vjeç. Akoma nuk dihet nëse ai ishte qëlluar nga të tjerët apo ka bërë vetvrasje.

Kongresmeni Michael McCaul ka lajmëruar se përpos sulmuesit janë vrarë edhe 3 persona të tjerë, kurse 14 janë lënduar.

_________________________________

Një sulm me armë ka ndodhur në qendrën ushtarake Fort Hood pranë Teksasit, ku raportohet se ka pasur të lënduar. Nuk dihet saktë numri i sulmuesëve, por të paktën një sulmues është i vdekur.

“Ka pasur gjuajtje me armë në bazën Fort Hood. Ka disa të lënduar dhe ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes. Për momentin nuk kemi më shumë informata”, thuhet në një deklaratë të bazës ushtarake, transmeton CNN.

Llogaria zyrtare në Twitter e Fort Hood i ka kërkuar të gjithë ushtarëve brenda që të strehohen.

Situata po konsiderohet serioze, sipas disa burimeve. Sipas Shtëpisë së Bardhë, Presidenti Barack Obama është informuar për ngjarjen dhe pret të informohet në kohë reale me atë se çfarë po ndodh.

Nuk është hera e parë që kjo bazë është cak i sulmeve. Në vitin 2009, Majori Nidal Malik Hasan ka hapur zjarr në këtë bazë duke lënë të vdekur 13 persona dhe ka lënduar 32 të tjerë.