Ende asnjë i dyshuar për sulmin ndaj objektit të Kuvendit

Policia e Kosovës ende nuk ka arritur të identifikojë apo të arrestojë ndonjë person lidhur me sulmin me koktej molotovi në objektin e Kuvendit të Kosovës me datë 12 të këtij muaji në të cilin vazhdojmë ende të jemi.

Lajme

23/03/2016 15:43

Sipas policisë lidhur me sulmin e objektit të Kuvendit të Kosovës dhjetë ditë më parë, janë duke u kryer hetime intensive në identifikim dhe arrestimin e të dyshuarave.

Në orët e para të mëngjesit të së shtunës me 12 mars, persona të maskuar kishin hedhur koktej molotovi në objektin e Kuvendit të Kosovës, në pjesën ku janë disa zyre të Presidencës.

Në një përgjigje nga Policia e Kosovës, për lajmi.net lidhur me hetimet për sulmin e objektit të Kuvendit thuhet se ky institucion menjëherë pas ndodhjes së sulmit ka dalë në vendin e ngjarjes duke marr të gjitha veprimet e nevojshme.

Po ashtu aty bëhet e ditur se janë duke u zhvilluar hetime intensive për identifikimin dhe arrestimin e kryerësve të kësaj vepre.

1-56

“Policia e Kosovës me njësitet e saja relevante ne te gjitha rastet e dëmtimit apo asgjësimit te pasurisë, ndaj objekteve zyrtare menjëherë ka dale ne vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë te gjitha veprimet e nevojshme  policore për hetimin dhe zbardhjen sa me pare te këtyre rasteve”.

“Njëkohësisht Policia e Kosovës po kryen hetime intensive edhe drejt identifikimit dhe arrestimit te personave te dyshuar te përfshirë ne këto raste”, thuhet në përgjigjen e policisë për lajmi.net.

Po ashtu ky institucion ka njoftuar se është duke zhvilluar hetime edhe sa i përket dëmtimit të veturave zyrtare dhe private të personaliteteve të ndryshme.

Por, për njohësin e çështjeve të sigurisë profesorin universitar, Bejtush Gashi moszgjidhja e këtyre rasteve tregon për paaftësinë e organeve të sigurisë për zgjidhjen e rasteve të tilla.

Ai për lajmi.net ka thënë se mos zgjidhja e rasteve të djegies së veturave zyrtare dhe sulmit të objektive institucionale mund të cenojnë sigurinë e përgjithshme.

“Po kjo është një neglizhence, papërgjegjësi ose paaftësi e institucioneve të çështjes së sigurisë për të përmbush obligimin që ata kanë në këtë fushuë”.

“Mos zbulimi i rasteve që kanë ndodhur me djegien e veturave zyrtare si dhe të objekteve të institucioneve shtetërore me lëndë djegëse të ashtuquajtura molotov janë veprime të cilat paralajmërojnë  mundësinë e degradimit të situatës së përgjithshme”, ka thënë Gashi.

Ky profesorë universitarë nuk e ka përjashtuar mundësinë që në këto sulme të jenë të përfshira edhe shërbime të huaja, por sipas tij, kjo nuk arsyeton dështimin e organeve të sigurisë që kryerësit e veprave të zbulohen dhe të sillen para drejtësisë.

“Në rastin konkret institucionet e sigurisë nuk mund të arsyetohet se janë skenarë të jashtëm dhe ne e kemi të pamundur me reaguar karshi këtyre veprimeve, ata kanë për detyrë që këto raste ti zbulojnë dhe kryesit e veprave ti sjellin para drejtësisë”, ka thënë Gashi për lajmi.net.

Djegia e vetures se ministrit Memli Krasniqi

Kohëve të fundit janë shpeshtuar veprimet e djegies së veturave zyrtare, të ndodhura në disa qytete të Kosovës, si dhe javë më parë është sulmuar me koktej molotovi edhe objekti i Kuvendit të Kosovës.

Cak i këtyre sulmeve kanë qenë edhe veturat familjare të personave zyrtarë të Qeverisë. Vetura e familjare e ministrit Memli  Krasniqi dhe zëvendësministrit Bajram Gecaj janë djegur para një muaji./ lajmi.net.