Sulmi ndaj Avdullah Hotit, policia vihet në lëvizje për arrestimin e të dyshuarve

Policia e Kosovës aktualisht është duke u angazhuar në identifikimin dhe arrestimin e të dyshurave për sulmin me vezë ndaj zëvendëskryeministrit, Avdullah Hoti.

Lajme

22/02/2020 17:45

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi për lajmi.net, ka thënë se me të marrë informatën, Njësitë Përkatëse kanë dalë në terren nga ku kanë nisur hetimet.

Ai ka bërë të ditur se rasti është inicuar si “sulm”, teksa është njoftuar edhe prokurori.

“Lidhur me interesimin tuaj u njoftoj se: me të pranuar informatën për rastin, njësitë përkatëse të Stacionit Policor ‘Qendra’ kanë dal në vendngjarje, kanë filluar veprimet operative-hetimore, është njoftuar prokurori dhe në konsultim me të është inicuar rasti ‘Sulm’. Për të reja tjera rreth rastit u njoftojmë me kohë”,  ka thënë Krasniqi për lajmi.net.

Për rastin kanë reaguar shumica e zyrtarëve të qeverisë së Kosovës.

Më herët gjatë ditës, kryeministri i vendit, Albin Kurti tha se ky sulm nuk e shqetëson qeverinë, dhe se i njëjti është kryer nga persona të mllefosur nga rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit. /Lajmi.net/